Prokuroria e Tiranës reagoi sot (22 janar 2024) lidhur me hetimet për dosjen e 21 janarit. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama kërkoi që dosja të hetohet nga SPAK nëse jo dosja “do të vijonte të mbetej në barkun e prokurorisë së Tiranës pa shtyllë kurrizore’
“Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të “21 janarit” do t’i kaloj për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimi e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di sesa kohë akoma nën barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës” deklaroi Rama. më 21 janar 2024 në takimin me familjarët e viktimave në 13-vjetorin e krimit shtetëror të 21 janarit.
Përmes njoftimit për shtyp prokuroria informon se 'në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit, është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet"
Më 4 janar 2024 ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se do të dërgohej në Itali për ekspertizë plumbi që vrau Aleks Nikën më 21 janar 2011.
Më tej, duke mos iu referuar Kryeministrit, organi i akuzës teksa ka parashtruar historikun e hetimeve, ka nënvizuar dhe se ato do të vazhdojnë tashmë në dritën e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me dosjen "Nika kundër Shqipërisë'
Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.
Prokuroria cek në njoftim dhe videon e publikuar më herët ku pretendohet një komunikim i gardës më 21 janar ku prokuroria thotë se familja e Nikës, që i posedon ka deklaruar se do t’ia japë ato vetëm Prokurorisë së Posaçme.
Është e paqartë nëse Prokuroria e Tiranës ka parasysh këtu edhe hetimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, që ishte pjesa kryesore e vendimmarrjes së Strasburgut, pjesë e cila në fakt do të kërkonte ndërhyrjen e SPAK, që më herët ka shpallur moskompetencë.
Më 27 shkurt, Gjykata e Lartë merr në shqyrtim kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, me të cilën përcakton përfundimisht se kujt i takon të hetojë dosjen e 21 janarit, SPAK apo prokurorisë së Tiranës.
Në një vendim 7 me zero, Gjykata e Strasburgut ‘vuri pikat mbi i’, e quajti 21 janarin krim shtetëror dhe e drejtoi gishtin nga përgjegjësit e vërtetë, të cilët prishën dhe devijuan hetimet, teksa kërkoi nga shteti shqiptar hetim ezaurues, zbardhje të plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e protestuesve të tjerë. Tashmë pritet SPAK, që është përballë sfidës për t’i dhënë fund pritjes së pafundme për drejtësi për vrasjet e katër të pafajshmëve.
Në 21 janar mbetën të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Deri tani nuk janë zbardhur ende se kush vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën
Informacion i Prokurorisë Tiranë mbi hetimet për ngjarjen e 21 Janarit 2011, ku humbën jetën 4 persona
Duke marr shkas nga interesimi i medias, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285 I vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Në datën 18.04.2012, është vendosur ndarja nga procedimi penal dhe dërgimi për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i çështjes së numërtuar 285/21, të viti 2012, i materialeve për të pandehurit Ndrea Prendi akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79 gërma “ë” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe të pandehurit Agim Llupo, akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer kundër dy ose më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve F. M.j, E. B., dhe S. G.
Për gjykim në këtë procedim, janë dërguar edhe materialet në ngarkim të të pandehurit Margarit Kume, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore u kryen të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk u bë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosur shtetasit F. M., S. G., E. B., A. D., I. Q. e I. P. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës 28.02.2020, prej Prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda.
Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, kanë kryer edhe veprimet hetimore të deleguara prej prokurorit në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit A. H. fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në televizionin “Top Channel"
Me qëllim disponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore është pyetur shtetasi A. H, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas shtetasit A.H, disponojnë materialen audio. Por në deklarimet e dhëna prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit, është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.
Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.