TIRANE - Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi ishte mbrëmjen e së premtes, 8 shkurt, i ftuar në studion e lajmeve të televizionit A1REPORT, nga ku diskutoi për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës për 21 Janarin, por edhe për vizitën në Tiranë të komisionerit Evropian të Zgjerimit, Stefan Fyle dhe mesazhet e tij ndaj politikës shqiptare.

I pyetur nga gazetarja Mira Kazhani, për vendimin e drejtë ose jo të 21 Janarit, ambasadori nisi duke treguar se çdo të thotë realisht koncepti i besueshmërisë, duke vënë theksin se besimi zë vend kur fjalët tregohen me vepra.

SEQUI: ASKUSH NUK ESHTE MBI LIGJIN
“Duhet të flasim për përkufizimin e besueshmërinë. Besueshmëri do të thotë të kesh besimin e të tjerëve. Besueshmëria është një cilësi e një personi tek i cili kemi besim. Besueshmëria ka të bëjë me vetëbesimin dhe besimi bëhet më i fortë dhe zë vend kur fjalët tregohen me vepra. Në rastin e drejtësisë, besueshmëri do të thotë që ligji, drejtësia është autoriteti më i lartë, do të thotë që askush nuk mund të jetë mbi ligjin as nën të. Është akoma më e rëndësishme se edhe të të duan”, -u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi.

SEQUI: KE E KA THENE: TE ZHVILLOHET REFORMA NE DREJTESI, DUHET ZBATIM
Në fokus të bisedës, u vendos edhe progres raporti dhe pikat kyçe që i nevojiten Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Duke folur për rëndësinë e këtij dokumenti, të cilin ambasadori e cilësoi “busulla e Evropës”, Sequi tha se Komisioni Evropian ka thënë që Shqipëria duhet të zhvillojë më tej reformën e gjyqësorit. “Ka të bëjë edhe me drejtësinë dhe në veçanti me një fjalë e cila është: ZBATIMI”, -theksoi ambasadori.

“Ju përmendët raportin e progresin, ai është një dokument shumë i rëndësishëm i gjerë tërësor të cilin ne e përdorim për të vlerësuar progresin e bërë ose jo dhe shikojmë si është situata në vend në lidhje me reformat, shohim se çfarë duhet bërë në procesin e integrimit të BE. 2 janë fjalët kyç: 1.ZBATIM, sepse ne duam të shohim zbatimin e hapave. 2. SHTETI LIGJOR”, u shpreh Ettore Sequi.

SEQUI: SHQIPERIA E POLARIZUAR POLITIKISHT

Gjatë deklaratave për media dhënë nga ambasadori për vendimin e 21 Janarit, ai ka theksuar se nuk duhet të ketë një polarizim të çështjes. Në këtë kuadër, gazetarja Kazhani ngriti pyetjen nëse polarizimi në këtë rast do të thotë politizim?

Ambasadori Sequi u tregua i drejtpërdrejtë kur tha se Shqipëria është një vend i polarizuar politikisht, dhe se kjo gjë mund të jetë e dëmshme, në veçanti në periudhën para zgjedhjeve, siç nënvizoi ambasadori.

21 JANARI, BE Vs SHBA/ SEQUI: FJALA E SHPJEGON VETE C’DONIM TE THONIM
Gazetarja Kazhani solli në vëmendje të bisedës edhe deklaratën e ashpër të ambasadës Amerikanë në Tiranë, e cila tha dje se është e tronditur nga vendimi i Gjykatës e cila i dha pafajësi ish-komandantit Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo në lidhje me akuzat për vrasjen e 4 demonstruesve gjatë protestave të opozitës kundër qeverisë më 21 Janarin e 2 viteve më parë. I pyetur për ndryshimin mes formës së të shprehurit të SHBA dhe Bashkimit Evropian, Sequi me një përgjigje diplomatike tha se çdo institucion ka mesazhet e tij dhe se mund të sqaronte vetëm mesazhet e BE.

“Unë mund të sqaroj atë që është mesazhi ynë dhe nuk mund të bëj komente për mesazhe të tjera që janë dhënë edhe në rast se do të thosha që ju mund ta keni vënë re në fakt. Kur shprehemi në deklaratat tona, procedura, ne e kemi fjalën për raste gjyqësore, pra për procedura gjyqësore, i cili në fakt fjala e shpjegon vetë atë që kemi dashur të themi”, nënvizoi ambasadori Ettore Sequi.

STATUSI, SEQUI: FYLE DHA MESAZHE TE QARTA

Vizita e disa ditëve më parë në Tiranë e komisionerit evropian të Zgjerimit, Stefan Fyle u komentua nga ambasadori Sequi si një mesazh i qartë dhe i sinqertë ndaj politikanëve, sa i përket Shqipërisë përball integrimit evropian. Duke zbardhur detaje nga takimet e zhvilluara me dyer të mbyllura të takimeve që Fyle pati me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha e kreun e PS, Rama, ambasadori i Bashkimit Evropian theksoi faktin se statusi i bashkimit Evropian është i arritshëm nga ana e Shqipërisë. “Megjithatë, - theksoi ambasadori, mbetet në dorën e tyre që t’i bëjnë realitet.”

“Ajo që mund t’ju them është që “Komisioneri Fyle ka pasur diskutime të hapura e të sinqerta me të gjithë politikanët me të cilët është takuar në lidhje me prioritetet që kanë të bëjnë me aspiratat e Shqipërisë drejt BE. Fyle tha që statusi i BE është i arritshëm, natyrisht që mbetet në dorën e tyre që ti bëjnë realitet këto. Ai tha që dyert e Evropës janë të hapura dhe që KE është i angazhuar për të forcuar më tej procesin e integrimit”, u shpreh ambasadori gjatë bisedës me gazetaren e televizionit A1REPORT! Mira Kazhani.

SEQUI: ZGJEDHJET TE RENDESISHME, TEST KYC
“Fyle ka thënë se procesi i Shqipërisë duhet të jetë i qëndrueshëm dhe të shtyhet përpara nga Konsensusi. Mbarëvajtja e zgjedhjeve është tepër e rëndësishëm një test kyç për mirëfunksionimin e demokracisë shqiptare. Fyle i bëri thirrje politikanëve për zgjedhjet e qershorit të jenë në përputhje me standardet evropiane, me qëllim që të përmirësohet besueshmëria e procesit përsa i përket votuesve, opinionit publik”, - deklaroi më tej ambasadori.

ettore sequi me mira kazhani
(Në foto, ambasadori Ettore Sequi dhe gazetarja Mira Kazhani në studion e lajmeve të televizioni A1 REPORT!)

INTERVISTA E AMBASADORIT TE BE, ETTORE SEQUI, NE A1REPORT


Gazetarja Mira Kazhani
: Një Twitter i komisionerit Stefan Fyle ka tërhequr vëmendjen, ka folur për sistem drejtësie të besueshëm. A i ishte vendimi i gjykatës së Tiranës i besueshëm?

Ambasadori Ettore Sequi: Duhet të flasim për përkufizimin e besueshmërisë, që do të thotë të kesh besimin e të tjerë, është një cilësi e një personi tek i cili kemi besim. Besueshmëria ka të bëjë me vetëbesimin. Dhe besimi bëhet më i fortë dhe zë vend ku fjalët tregohen me vepra. Në rastin e drejtësisë, besueshmëri do të thotë, që ligji, drejtësia është autoriteti më i lartë që askush nuk mund të jetë mbi ligjin as nën të. Është akoma më e rëndësishme se edhe të të duan.

Gazetarja Mira Kazhani: Çfarë pret Brukseli?

Ambasadori Ettore Sequi: Unë them që para se të themi se çfarë pret Brukseli, duhet të themi se cilat janë pritshmëritë e popullit shqiptar. Një nga parakushtet që Shqipëria të ecë përpara në Bashkimin Evropian do të thotë që të ketë një sistem gjyqësor, i cili të jetë i paanshëm, pra ajo që ka thënë edhe komisioneri Fyle, ky është një element i konceptit të shteti të së drejtës.

Gazetarja Mira Kazhani: Kur ju flisni që çështja duhet të jetë e paanshme, e keni fjalën që çështja nuk duhet politizuar?

Ambasadori Ettore Sequi: Mund të fillojmë nga një vëzhgim që i bëhet realitetit. Domethënë që Shqipëria është një vend i polarizuar politikisht. Dhe ky mund të jetë i dëmshëm, e në veçanti në periudhën para zgjedhjeve.

Gazetarja Mira Kazhani: Përtej 21 Janarit është folur për tre ligjet e ashtuquajtura të integrimit, por me deklaratën e Brukselit ju sollët në vëmendje edhe një herë progres raportin e dhjetorit që 21 Janari të zbardhej si çështje, që reflektonte një pritshmëri nga Brukseli për këtë çështje. A mendoni se rasti në fjalë, 21 Janari, vendimi i Gjykatës së Tiranës është një ligj po kaq i rëndësishëm për Brukselin që të na paraqesë një imazh jo të politizuar?

Ambasadori Ettore Sequi: Ju përmendët raportin e progresit në dhjetor. Raporti i progresit është një dokument shumë i rëndësishëm, i gjerë, thelbësor që përdoret për të vlerësuar situatën, progresin e bërë apo jo dhe shikojmë sesi është situata në vend në lidhje me reformat dhe themi se çfarë duhet bërë dhe në cilat fusha. E gjithë kjo bëhet në një fokus në dy fjalë kyçe. E para është fjala zbatim, pasi ne duam të shikojmë zbatimin e të gjithë hapave që janë të rëndësishme dhe nga ana tjetër është dhe zbatimi i së drejtës së shtetit ligjor. Natyrisht që kjo ka të bëjë dhe me sistemin gjyqësor. Në raportin e progresit në dhjetor të 2012, komisioni ka thënë fare qartë se Shqipëria mund të shpejtojë më tej dhe të zbatojë rekomandimet në mënyrë të tillë që të sigurohet pavarësia e institucioneve edhe gjyqësore.

Lexoni këtu vazhdimin e intervistës me ambasadorin Sequi

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)