TIRANE – Partia Socialiste ka kërkuar sot arrestimin e menjëhershëm të ekspertit të policisë shkencore Ndoc Çardaku, si një kriminel që manipuloi provat e vrasjes së dëshmorit të 21 janarit, Ziver Veizi. Ministria e Brendshme hodhi poshtë akuzat duke shfaqur edhe një video të ekspertizës, por nuk ua jep mediave materialin filmik të ndërhyrjes mbi trupin pa jetë të Ziver Veizit. Në këtë video, Prokuroria pretendon se duket vendosja e ashklës në trupin e Veizit nga eksperti shkencor Çardaku.

Deputeti Saimir Tahiri, në një dalje për median theksoi se “ne kërkojmë arrestimin e menjëhershëm të ekspertit Ndoc Çardaku. Ky është një kriminel, që ka guxuar të manipulojë provat njëlloj si ata të tjerët që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.

“Prokuroria ka filmuar ekspertin me emrin Ndoc dhe mbiemrin Çardaku, duke manipuluar provat e 21 janarit për të justifikuar versionin e plumbit rikoshet, duke kryer krim edhe pse ishte caktuar për të zbuluar një krim.

Pas mjekut të spitalit ushtarak”, tha Tahiri, “pas shefit të sistemit kompjuterik të Kryeministrisë, evidentohet edhe një kriminel tjetër, ky Ndoc Çardaku, që paska pasur guximin të manipulojë provat për të justifikuar versionin e Sali Berishës së vrasjes nga plumbi rikoshet.

PS premton publikisht se pas 23 qershorit, të gjithë ata që kanë dorë e gisht për 21 janarin, nga doktori i spitalit ushtarak, shefi i sistemit kompjuterik në Kryeministri, eksperti Ndoc bashkë me urdhëruesit dhe ekzekutorët, kryeministri në krye e pastaj të tjerët, do të trajtohen me gjithë respektin që meritojnë si të akuzuar për një krim shtetëror për të cilin do mbajnë përgjegjësi një më një, siç do të trajtohen edhe me gjithë përbuzjen që meritojnë nga shoqëria”.

Në përfundim, deputeti socialist përforcoi se “Pas 23 qershorit, të gjithë këta me mendjen, dorë e gisht të përlyer në vrasjet e 21 janarit, bëjnë mirë të përgatiten për llogaritë që kanë për të dhënë para ligjit e të mos i shkojë në mend askujt se mund të shpëtojnë në harresë”.

Lidhur me deklaratën e Berishës në Lushnje se ka ndërmend ta shpallë 21 janarin, ditë pushimi e festë zyrtare", Tahiri u shpreh: "E garantojmë se, me këto palaçollëqe nuk i shmanget dot përgjegjësë për 21 janarin. Pas 23 qershorit, do të ketë pushim çdo ditë të vitit, por, pushim pa qetësi, në dorë të drejtësisë dhe të ligjit”.

BRACE: PS TE VERPOJE MENJEHERE
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe ka reaguar ndaj akuzës së prokurorisë për manipulim provash nga eksperti Çardaku. “Për 21 Janarin përsëri: Manipulimi i provave, këtë herë në nivelin më barbar, duke ndërhyrë në trupin e pajetë të Ziver Veizit. Është krim shumë i rëndë. Por boll me konstatime, ky krim u bë publik vetëm dje, edhe pse ka ndodhur 2 vite më parë. Në të tilla rrethana, Prokuroria është nën akuzë: Pse nuk u hetua kurrë ky krim? Ku ka ndodhur? është vepër individuale e ekspertit apo e krejt Institucionit të Mjekësisë Ligjore? Kush është përfshirë tjetër? A kanë qenë prokurorët gjatë ekspertimit e filmimit? Nëse po, pse heshtën? Pse s’e përmendën asnjëherë në gjyq këtë fakt?”, tha Braçe përmes profilit të tij në rrjetin social facebook. “Mbi të gjitha, a ka prova të tjera të manipuluara, plumba kryesisht? Prokuroria duhet të përgjigjet! Institucioni i Mjekësisë Ligjore, i shkatërruar e politizuar për qëllime politike nga Sali Berisha duhet shpërbërë! Opozita duhet të ndërtojë aksionin e saj për këtë! Deklarimi "ta tregoj unë pas 23 qershorit", si për Gerdecin ashtu dhe për 21 Janarin nuk është i denjë, s’tregon as fuqi e as vendosmëri. Instrumentat ligjore duhen përdorur tani”, deklaron Braçe.

MINISTRIA NUK JEP VIDEON: PRISNI TE HENEN
Ministria e Brendshme hodhi poshtë akuzat për manipulim të provave në procesin e 21 Janarit nga ekspertët e saj shkencorë, por nuk ua jep mediave videon e ekspertizës mbi trupin pa jetë të Ziver Veizit. Në këtë video, Prokuroria pretendon se duket vendosja e ashklës në trupin e Veizit nga eksperti shkencor Ndoc Çardaku.

Në një prononcim për mediat, zëdhënësi Leonard Olli, tha se ekspertët e Policisë Shkencore kanë kryer ekzaminimin e provave në vendngjarje me kërkesë të vetë prokurorëve ndërsa puna e tyre është mbikëqyrur nga afër nga oficerë të Policisë Gjyqësore “të cilët, pasi firmosën procesverbalet, i morën në dorëzim”.

Gjatë prononcimit për shtyp, zëdhënësi shfaqi në një monitor edhe një material filmik që tha se tregonte punën e ekspertëve në ekzaminimin e provave. Olli tha se video në fjalë do të vihej menjëherë në dispozicion të mediave. Pak pas prononcimit, A1Report dhe Shqiptarja.com i kërkuan zëdhënësit një kopje të videos dhe ai tha në telefon se nevojitej një kërkesë me shkrim. Më pas redaksia ritelefonoi Ollin për ta njoftuar se kishte nisur kërkesën e shkruar, por zëdhënësi tha se duhej pritur e hëna pasi mbasditen e së shtunës Ministria e Brendshme nuk kishte asnjë person që të protokollonte kërkesën e paraqitur. “Përndryshe, nuk ua jap dot”, u justifikua ai.

Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)