Aksidenti ku humbi jetën 21-vjeçari shqiptar Samir FermacaItali mund të mos ketë ndodhur ashtu siç u mendua fillimisht.

Një dëshmitar i ri ka hedhur dyshime mbi momentet e fundit të të riut, duke deklaruar se pasi ai ra nga motori, një automjet tjetër mund të ketë kaluar shumë pranë tij, ose madje ta ketë goditur.

Ngjarja ndodhi më 13 qershor në Bergamo. Samir Fermaca, me origjinë shqiptare dhe banues në Torre Boldone, udhëtonte me motor bashkë me kushëririn e tij 26-vjeçar.

Sipas mediave, gjithçka nisi pas një manovre në rrugë me një Audi SUV. Dy të rinjtë ishin parakaluar nga automjeti, ndërsa më pas kushëriri i Samirit e kishte kaluar sërish nga e djathta. Kur mjetet u gjendën krah për krah, 21-vjeçari dyshohet se goditi me këmbë pasqyrën e Audi-t.

Pak çaste më vonë ai humbi ekuilibrin, ra nga motori dhe përfundoi pa ndjenja në asfalt, ndërsa kushëriri i tij shpëtoi pa lëndime.

Deri tani besohej se vdekja ishte shkaktuar nga goditja e fortë e kokës në rrugë. Por dëshmia e një drejtuesi mjeti që po udhëtonte pas motorit dhe SUV-it ka ndryshuar rrjedhën e hetimeve.

Sipas tij, kur i riu ndodhej i shtrirë në asfalt, një automjet tjetër kaloi shumë pranë trupit të tij. Pikërisht kjo dëshmi ka shtyrë prokuroren Giulia Angeleri të urdhërojë autopsinë për të sqaruar nëse lëndimet fatale janë shkaktuar vetëm nga rrëzimi apo nëse në tragjedi mund të jetë përfshirë edhe një makinë e dytë që u largua nga vendi i ngjarjes.

Rezultatet e autopsisë pritet të hedhin dritë mbi sekondat e fundit të 21-vjeçarit shqiptar dhe të përcaktojnë nëse në aksident ka pasur një tjetër person të përfshirë.