Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka konfirmuar se 22 parti politike dhe 3 koalicione do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Jashtë garës ka mbetur Fatmir Limaj me Nisma Socialdemokrate, e cila nuk është regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhje.
Afati për regjistrimin e partive dhe koalicioneve përfundoi në mesnatën e së enjtes.Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, do të garojë sërish në koalicion me Partitë Guxo, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.
Në garë do të jetë edhe Vjosa Osmani, e cila pritet të kandidojë në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës. Po ashtu, pjesë e zgjedhjeve do të jetë edhe Partia Socialdemokrate, e përbërë kryesisht nga ish-anëtarë të Vetëvendosjes.
Mes partive shqiptare që do të garojnë janë edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fjala, ndërsa në listë përfshihen edhe subjekte të komuniteteve joshumicë. Ndërkohë, Nisma e Limajt, e cila nuk arriti të kalojë pragun në zgjedhjet e dhjetorit, duket se ka hequr dorë nga gara si subjekt më vete. Në zgjedhjet e kaluara ajo kishte hyrë në Kuvend përmes koalicionit me AAK-në.
Sipas raportimeve në Kosovë, Limaj kishte zhvilluar bisedime edhe me PDK-në për një bashkëpunim të mundshëm elektoral, por pa rezultat. Subjektet politike kanë afat deri më 12 maj për të dorëzuar online listat me kandidatët për deputetë për certifikim në KQZ.
Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të tretat parlamentare në Kosovë brenda 18 muajve, pas atyre të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025. Ato vijnë pas shpërndarjes së Kuvendit për shkak të dështimit në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Komente










