23 vjeç u prek nga kanceri në fazën e fundit/ Olivia, vajza luftarake që mposhti vdekjen rrëqeth me historinë e saj

E ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte 24 vjeçarja me origjinë nga Berati Olivia Gega, e cila sapo ka fituar betejën me kancerin dhe sot ka disa mesazhe për të gjithë ata që janë duke kaluar në këtë situatë. Në fillim të bisedës ajo tha se është larguar nga Shqipëria në moshën 15 vjeçare, në drejtim të Italisë në kërkim të mundësive të reja për të zhvilluar veten, pasi prindërit e saj jetonin midis Italisë dhe Shqipërisë.

”Shkollën e mesme e bëra në Izrael ku mbarova një program internacional, në një shkollë proaktive për konfliktin e Palestinës me Izraelin, ku dhe krijova shumë miqësi të mira” tha Olivia gjatë rrëfimit, duke shtuar se më pas vendosi të shkonte për të jetuar në New York, por që nuk u ndje shumë mirë nga ky vend edhe pse jetoi për pak kohë.

”Jeta në Amerikë ishte punë dhe kjo gjë ishte dhe në fundjavë, ndërkohë që unë kërkoja një balancë mes jetës dhe punës, pasi aty njerëzit vetëm punonin” tha Olivia, duke shtuar se për këtë motiv vendosi që të largohej nga Amerika edhe pse kishte kaluar 5 muaj intensive në një pozicion pune shumë të mirë që lakmohej. Më pas jeta e saj zhvendoset në Europë dhe më saktësisht në Hollandë, ku aktualisht jeton prej 4 vitesh dhe ku është diplomuar në Universitetin e Amsterdamit për Biznes dhe specializuar në financë, ndërsa vazhdoi studimet e Masterit për ekonomi tregtie dhe finance. Më pas jeta e Olivias përson një goditje të madhe duke ndryshuar plotësisht.

”Në një bisedë me mamin, vura re një nodus në qafë që ishte zmadhuar dhe njëkohësisht ishte shumë i fortë. Nuk kisha asnjë dhimbje apo simptomë tjetër, ndaj gjej rastin të bëj një apel për të gjithë njerëzit që të bëjnë kontrolle check up herë pas here.  E shqetësuar, u ktheva në Hollandë tek doktori i familjes, i cili më tha se duhet të bëja një tjetër ekzaminim me specialistin” tha Olivia në studio, duke shtuar se pas vizitës kuptoi se diçka nuk shkonte.  

”Prej një kohe të gjatë ndihesha disi e lodhur, por nuk i kushtova shumë vëmendje pasi kisha dhe një jetë të ngarkuar dhe mendova se ishte normale” shtoi Olivia duke përmendur se më parë ajo kishte një stil jete shumë dinamik dhe të shëndetshëm, ndiqte një regjim ushqimor të shëndetshëm që përfshinte dhe frekuentimin e palestrës.

“Pas disa ekove, analizave, biopsive dhe një skaneri, që zgjatën 3 muaj u diagnostikova me një kancer të rrallë të sistemit limfatik dhe nuk do t’a harroj kurrë momentin kur mjeku më dha lajmin” theksoi ajo. Ky ishte momenti më i vështirë i jetës së saj pasi çdo plan, studimet që po bënte apo perspektiva iu përmbysën.

”Ditën që më dha lajmin mjeku më tha se kisha bërë shumë mirë që kisha marrë me vete pjestarë të familjes, pasi ata duhet të ishin mbështjetja ime psikologjike tani e tutje, por jeta ime kishte ndryshuar njëherë e përgjithmonë” tha Olivia.

”Mjeku më tha se duhet të isha e përgatitur për humbjen e flokëve kur të niste kurimi dhe për probleme me fertilitetin, aty mu shëmb bota në kokë”. Ajo vendosi që t’a përballonte sëmundjen në një formë sportive dhe ditën që do priste flokët, thirri të gjithë miqtë hollandez, duke organizuar kështu një festë.

“Gjatë gjithë kësaj përvoje, kurrë nuk e kam konsideruar veten paciente me kancer dhe as nuk e kam quajtur "kanceri im", thjesht e dija se ishte diçka që duhej të luftoja dhe nuk do të pranoja asnjë skenar tjetër” tha Olivia e emocionuar.

Pas një beteje të gjatë me këtë sëmundje, duke luftuar një kancer të pazakontë të sistemit limfatik, Olivia ia doli. Ajo mundi të triumfonte mbi sëmundjen! Rruga drejt këtij udhëtimi ishte e mbushur me ulje-ngritje, nga diagnoza e frikshme deri te trajtimet e tmerrshme. Megjithatë që në ditën e parë të këtij udhëtimi ajo vendos t’a marrë atë sa më pozitivisht dhe të festojë çdo moment të vetëm, duke nxjerrë më të mirën edhe nga më e keqja. Në fund të bisedës Olivia u përshendet dhe nga mamaja e saj me anë të një video-mesazhi, bashkëudhëtarja e betejave të vajzës. Aktualisht ajo është duke punuar për të ndërtuar një platformë për t’i dhënë shpresë dhe besim të gjithë atyre që janë ‘në luftë’ me kancerin, duke shpresuar se kjo platformë do të jetë një ndihmë për njerëzit e diagnostikuar me këtë sëmundje shkatërruese, për të gjetur ndihmë dhe mbështetje emocionale për të thyer stigmat dhe tabutë në Shqipëri.

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë