Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës, ku tha se kjo ditë është përkujtim, pritje dhe ankth për familjet shqiptare në Kosovë.
“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dimë për fatin e tyre”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se kjo ditë na bënë ta kthejmë kokën pas jo vetëm për t’i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ta thënë se qeveria përpiqet çdo ditë që pritja e familjeve të marrë fund.
“Me kujtimin për ta, do të bëjmë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund”, ka theksuar presidentja.
Sipas saj, forcat e regjimit gjenocidal, kanë kryer edhe shumë krime të tjera monstruoze në Kosovë, e ndër më të tmerrshmet është Masakra e Mejës, në të cilën u vranë barbarisht 376 djem e burra shqiptarë.
“Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik ndaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit. Do t`i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani në përkujtimin e Masakrës së Mejës.
Lidhur me masakrën e Mejës ka reaguar edhe kryeparlamentari i Glauk Konjufca. Sipas tij nuk asnjë shpresë që Serbia të hapë territorin e saj për të hulumtuar dhe gjetur trupat e zhdukur. Ai e cilësoi këtë masakër një plagë e cila nuk do të mbyllët derisa drejtësia të veprojë.
Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duhet të bëhet më shumë për të siguruar drejtësi dhe për ta përfunduar çështjen e personave të pagjetur.
Masakra e Mejës
23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.
Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi. Pavarësisht kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, tha se edhe pas më shumë se 20 vjetëve, familjarët e të pagjeturve s’kanë përgjigje për më të dashurit e tyre që u zhdukën me dhunë në luftën e fundit.
Ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twiter ka shkruar se duhet të bëhet më shumë për të siguruar drejtësi dhe për ta përfunduar çështjen e personave të pagjetur.
“Sot, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës, ne qëndrojmë pranë familjarëve të cilëve edhe pas më shumë se 20 viteve, ende u mungojnë përgjigjet për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur. Duhet bërë më shumë për të garantuar drejtësi dhe përmbyllje për këto familje dhe ata që i humbën”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca pasi bëri homazhe në Mejë tha se nuk ka shpresa që Serbia të lejojë hapjen e territorit të saj për bërjen e hulumtimeve për të gjetur personat e zhdukur.
Ai tha se bashkë, institucionet dhe familjarët, duhet të shtojnë presionin ndaj Serbisë për të gjetur familjarët e tyre, duke thënë se Serbia është përgjegjëse jo vetëm për gjenocidin, por edhe për vendndodhjen e trupave.
“Me sa po e shoh unë, sa e kam vërejtur deri tash dhe mënyrën se si ka shkuar procesi i negociatave me Serbinë, nuk kam fare shpresë që Serbia do ta hapë territorin e saj për hulumtimin edhe për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë”, tha ai.
Ai tha se Masakra e Mejës është ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe dëshmi e pakontestueshme e gjenocidit serb.
“Kjo masakër tregon më së miri tregon se okupatori serb i vrau të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Pa dallim nëse ata ishin burra, gra, fëmijë, të fesë myslimane apo të krishterë, në Mejë mund ta gjeni të gjithë popullin e Kosovës të masakruar faktikisht”, u shpreh kryeparmanetari.
Konjufca tha se kjo masakër, sikurse gjithë të tjerat në Kosovë, është plagë e hapur derisa drejtësia vazhdon të mungojë.
“Për të gjitha masakrat në Kosovë ende s’ka drejtësi. Familjarët jetojnë me ankth dhe me pritjen e tyre, që është e përçdoditshme. Ata i mori shteti i Serbisë, ai është përgjegjës. Kushdo që e kërkon përgjegjësinë dhe jo vetëm përgjegjësinë për atë që ka ndodhur, por edhe trupat e tyre fizikisht ku ndodhën, kjo është Serbia dhe territori i saj”, tha ai.