Presidenti Bajram Begaj organizoi mbrëmjen e së premtes një ceremoni në Presidencë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Të pranishëm në pritjen e kreut të shtetit ishin edhe kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda Rama, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fjalën e tij, Begaj tha se pas më shumë se një shekulli si shtet i pavarur, Shqipëria ka krijuar sot një imazh serioz në arenën ndërkombëtare dhe është bërë një partner i besueshëm i fuqive rajonale por edhe atyre të mëdha botërore.
Rëndësi të veçantë presidenti Begaj i kushtoi diasporës shqiptare, për të cilën tha se është një urë e fuqishme e Shqipërisë me botën.
"Është zemra jonë që rreh larg, detyra jonë si shtet është t’i dëgjojmë, t’i përfshijmë dhe t’u krijojmë hapësira reale pjesëmarrjeje. Pavarësia matet me cilësinë e shërbimeve publike, me drejtësinë funksionale, me mundësinë që u ofrojmë të rinjve dhe dashurinë për atdheun. Këto janë sfidat që na bashkojnë – pavarësisht bindjeve tona politike. Bota e sotme po ndryshon me shpejtësi, arkitektura globale po rifigurohet. Në këto kohë transformimesh dhe tronditjesh na duhet vendosmëri e qartë dhe vizion. Viti 2025 na gjeti në një mjedis dinamik. Shqipëria ka fituar besueshmëri si vend që kontribuon në paqen dhe sigurinë dhe dialog. Shqipëria mbetet e besueshme për aleatët tanë euroatlantikë. Ne jemi krenar për lidhjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës",- tha kreu i shtetit.
Presidenti Begaj theksoi nevojën e bashkimit dhe forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan, si një rrugë më e sigurt për përparimin e kombit dhe mirëqenien e çdo bashkëatdhetari në rajon dhe jo vetëm.
"Fatet tona u ndanë kundër dëshirës tonë, sot fati i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve në rajon është në duart tona. Çdo arritje e Kosovës dhe e komuniteteve shqiptare në rajon është krenari për ne. Sot kudo ku jetojnë shqiptarët është ditë feste. Është koha të jemi bashkë, të mbështesim zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe të punojmë që çdo shqiptar brenda e jashtë vendit të ndihet pjesë e një kombi që ecën përpara",- tha Begaj.
Në fund të fjalës së tij, kreu i shtetit ngriti një dolli me 3 "shëndete".
"Shëndeti i parë është për Ditën e Flamurit, urimi i dytë për flamurin kuq e zi dhe urimi i tretë është për kombin shqiptar! Lavdi përjetë',- uroi Begaj.
Kryeministri Edi Rama, ka ndarë disa foto nga ceremonia që organizoi presidenti Bajram Begaj në Presidencë me rastin e 113-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi atë si një mbrëmje të organizuar bukur.
'Mbrëmja Tradicionale Kuqezi e Ditës së Pavarësisë, organizuar sonte bukur si asnjëherë nën kujdesin e Presidentit të Republikës, me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës', shkruan Edi Rama.
Komente











PO.PO,,.DO VJEDHIM ME SHUME VITIN TJETER...ME BALLUKET..DHE AHMETAJT NE QEVERI....PO NEJSE MIRE JUA BEN KUR KE NJE POPULL HAJVAN QE TE JEP VOTEN......
Përgjigju