Interpretime muzikore me 48 orkestrantë në skenë, balet kontemporan, interpretim vokal dhe aktrim! Publiku në Elbasan ka përjetuar një spektakël të bukur këtë të hënë ndërsa ka shijuar projektin “Poenia”, mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.
“Ky projekt ka pasur një rrugëtim prej nëntë muajsh, për të cilën kemi punuar jo vetëm në Elbasan. Kemi punuar në Tiranë dhe në Shkodër. Kemi realizuar dy produksionet në Shkodër dhe në Tiranë dhe tani finalizimin e kemi mbyllur me qytetin e Elbasanit.”, tha për “Report TV” drejtuesja e projektit, Adela Muçollari.
“Poenia” është një projekt artistik dhe kulturor që synon të krijojë një urë mes edukimit artistik dhe skenës, duke promovuar bashkëpunimin, kulturën dhe fuqinë e artit si mjet frymëzimi dhe zhvillimi për të rinjtë.
“Poenia nuk është vetëm një projekt, por është një platformë sepse është një shkollë nëntë mujore që është bërë për të rinjtë. Janë zhvilluar audicione, janë filluar trajnime. Janë orë të tëra pune, ku të rinjve i shërbejnë, si nga rritja e nivelit artistik, si bashkëpunimi midis qyteteve, si nga programe të ndryshme, të cilat janë për rritjen dhe përvojën të personale të nxënësve, por pa diskutim edhe për të krijuar atë komunitetin në grup, për të pasur një orkestër rinore, për të provuar atë eksperiencën që neve dikur e provonim kur rriteshim dhe dilnim profesionistë. Ata e provojnë që tani.”, vijoi Muçollari.
Përgjatë nëntë muajve, projekti realizoi tre produksione, duke përfshirë rreth 2 mijë të rinj dhe duke ngjitur në skenë 230 artistë të rinj nga qytete të ndryshme të vendit. Nëpërmjet audicioneve, trajnimeve dhe eksperiencave skenike, “Poenia” krijoi një hapësirë të rëndësishme edukimi, bashkëpunimi dhe promovimi për talentet e reja shqiptare në art dhe kulturë.
Komente










