Në fillim të ’90-ës Selami Hasani, njohur si Sel Çami ishte një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Fier, edhe pse vetëm 24 vjeç. Ndërsa Arben Isufaj, i cili më vonë mori nofkën ‘Ben Qimja’, ishte 19 vjeç dhe kishte krijuar njohje me njerëz të afërt të Hasanit.

Në 1994, Ben Qimja u përfshi në një konflikt me Pirro Koçiun dhe dy kushërinjtë e tij me mbiemrin Yzeiri, të cilët ishin njerëz të afërt të Sel Çamit. Në konflikt ndërhyri për t’i ndarë babai i Benit, Enver Isufaj.

Disa muaj më vonë, babanë ia vranë në bilardo pranë shtëpisë. Vrasja e Enver Isufajt shënoi nisjen e një zinxhiri të gjatë hakmarrjesh. Dyshimet ranë mbi Vladimir Hasanin, vëllain e Sel Çamit, dhe Pëllumb Yzeirin. Megjithatë, kjo vrasje nuk u zbardh dhe askush nuk u dënua për të. Pas vrasjes së të atit, Ben Qimja u largua nga Shqipëria. U kthye në 1998 dhe po atë vit në qendër të Fierit, u ekzekutua Vladimir Hasani, vëllai i ‘Sel Çamit’. Në vitin 2001, Pajtim Yzeiri u ekzekutua në Spanjë. Dyshimet për këtë vrasje ranë mbi Julian Isufajn, nipin e Ben Qimes. Edhe kjo ngjarje nuk u zbardh, por u konsiderua tjetër episod i zinxhirit të hakmarrjes.

Më 25 mars 2002, në Sheshin e valutës në Fier ndodhi atentati më i rëndë i kësaj përplasjeje. U vranë nipi i Ben Qimes, Julian Isufaj dhe kambisti Esat Tare, ndërsa mbeti i plagosur Bledar Kastrati, i cili shoqëronte Isufajn. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe Taip Sulaj, kalimtar i rastit.

Pas atentatit, Sel Çami u largua nga Shqipëria. Kur u kthye në vitin 2009, u arrestua nga forcat RENEA. Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 25 vite burgim, por ai u lirua nga burgu në vitin 2022, në rrethana ende të paqarta. Për të njëjtën ngjarje, Pëllumb Yzeiri u dënua me burgim të përjetshëm.

Këtë të hënë u ekzekutua Sel Çami në oborrin e shtëpisë, ndërsa nipi, Jakupi, mbeti i plagosur. Ngjarja rikthen frikën, se hakmarrja që për tre dekada mori 6 jetë, mund të prodhojë të tjera viktima në Fier.