TIRANË- Në ditën e çlirimit të Kosovës, dita më e rëndësishme për popullin shqiptar kur iu dha fund pushtimeve, kryeministri Edi Rama ka një mesazh të drejtpërdrejtë për Albin Kurtin. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e konsideron këtë si një ditë në të cilën duhet reflektuar thellë për rrugën në të cilën po merr Kosova, pas situatës së tensionuar në veri.

Kreu i qeverisë thekson se sot nuk do të kishte Republikë të Kosovës, pa mbështetjen e madhe që i kanë aleatët strategjikë të shqiptarëve. E prandaj, Rama i kërkon Kurtit që të dalë nga ky qorrsokak që e ka futur Kosovën vetëm me dialog duke u ulur në tryezën e diskutimeve me Serbinë me ide konkrete dhe jo duke përdorur forcën e policisë.  

“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!

Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, shkruan Rama.

Çlirimi i Kosovës
24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.