25 vite burg për arratisjen e bujshme nga burgu në Greqi, Ilir Kupa rrëzohet nga Kushtetuesja! Kërkoi heqje të dënimit

25 vite burg për arratisjen e bujshme nga burgu në Greqi, Ilir Kupa rrëzohet nga Kushtetuesja! Kërkoi heqje të dënimit

Ilir Kupa në gjykatë

Ilir Kupa, anëtar i “bandës së babagjyshave”, i dënuar në Shqipëri me 25 vite burg pas kërkesës së palës greke për arratisjen e bujshme nga burgu i Trikallës, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në një vendim të marrë më 12 maj.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e Ilir Kupës për të shpallur anti kushtetuese vendimet e 3 shkallëve të gjyqësorit në Shqipëri pasi sipas tij i janë shkelur të drejtat e njeriut për një proces të drejtë gjyqësor, për shkak se nuk ‘është prezumuar i pafajshëm’ dhe nuk ‘është dëgjuar në një proces penal’

Gjykata Kushtetuese pasi ka marrë kërkesën nuk e ka kaluar atë në seancë plenare pasi e ka konsideruar një kërkesë të pabazuar totalisht në pretendim të qëndrueshëm.

Kupa pretendonte se në Gjykatën e Lartë i ishte mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe se gjykatat në të tre shkallët e kishin dënuar në mungesë të provave.

Ilir Kupa ka pretenduar, në mënyrë të përmbledhur, se gjatë procesit penal të kundërshtuar i është cenuar e drejta e aksesit dhe ajo për t`u dëgjuar, pasi Gjykata e Lartë ka rënduar pozitën procedurale të kërkuesit duke e shqyrtuar çështjen në dhomë këshillimi, pa i dhënë mundësinë për t`u dëgjuar në seancë, si dhe duke i shtuar masën e dënimit edhe me 8 vjet, në tejkalim të kompetencave të saj. Gjithashtu sipas tij nuk është respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë, pasi në asnjë nga shkallët e gjykimit nuk është provuar fajësia e kërkuesit.

Për sa i takon faktit se gjykatat e kanë dënuar pa asnjë lloj prove dhe në kundërshtim të plotë me rrethanat e ngjarjes, Kushtetuesja vëren se ky pretendim i Kupës  ka marrë përgjigje si nga gjykatat e faktit, ashtu edhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

“Ky i fundit ka arsyetuar se fakti që i gjykuari personalisht nuk ka qenë i armatosur dhe nuk ka gjuajtur në drejtim të gardianëve, nga momenti që veprimet e të gjykuarit janë kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, nuk e përjashton atë nga përgjegjësia për veprat penale të kryera”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Lidhur me të drejtën e aksesit, Gjykata ka vlerësuar vazhdimisht se administrimi i mirë i drejtësisë fillon me garancinë që një individ të ketë akses në gjykatë për t’i siguruar atij të gjitha aspektet e një forme gjyqësore të shqyrtimit të çështjes. Sipas Kushtetueses e drejta për të pasur akses në gjykatë i garanton individit të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj, të arsyetuar, për pretendimet e ngritura. Gjithashtu, në lidhje me gjykimin në Gjykatën e Lartë, Gjykata është shprehur se kjo e fundit ka detyrimin që jo vetëm të njoftojë rregullisht palët për procesin, por edhe t’u sigurojë atyre mundësinë që të marrin pjesë në proces dhe të dëgjohen, qoftë edhe mbi bazën e dokumenteve. Gjykata e Lartë duhet t`u garantojë palëve të drejtën që jo vetëm të njihen në kohë me pretendimet e palës tjetër, por edhe të kenë mundësinë që t`i kundërshtojnë ato ose të paraqesin argumentet e tyre për çështjen.

Duke iu referuar rastit konkret Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se kërkuesi rezulton se ka qenë një nga palët që ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë, përveç Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, duke parashtruar në rekurs shkaqet për cenimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta.

“Gjykata e Lartë, pasi i ka marrë në shqyrtim ato, ka vlerësuar se “shkaqet e ngritura në rekursin e paraqitur nga i gjykuari nuk janë të bazuara. Këto shkaqe nuk janë të tilla që të cenojnë vendimmarrjen e gjykatave të faktit lidhur me individualizimin dhe kualifikimin e veprave penale të kryera prej të gjykuarit. Rezulton se lidhur me këtë aspekt të vendimmarrjes, nuk ka mosrespektim ose zbatim të gabuar të ligjit penal nga gjykatat e faktit, nuk jemi përpara rastit kur këto gjykata kanë bërë shkelje që kanë si pasojë pavlefshmërinë absolute të vendimit, sipas nenit 128 të këtij Kodi, apo shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit në dëm të të gjykuarit që ka paraqitur rekurs”, thuhet në vendim.

Në lidhje me pretendimin se shqyrtimi i çështjes në dhomën e këshillimit i ka rënduar pozitën e tij procedurale dhe se Gjykata e Lartë ka shtuar masën e dënimit, Kolegji konstaton se në rastin konkret Kolegji Penal ka vepruar në përputhje me rregullat procedurale të zbatueshme për shqyrtimin e rekursit dhe vendimmarrjen. Kolegji Penal, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pasi vendimmarrjen e saj e ka vlerësuar si të marrë në zbatim të drejtë të ligjit, ka lënë në fuqi edhe masën e dënimit të caktuar për kërkuesin nga kjo gjykatë, duke mbajtur në konsideratë rrezikshmërinë e veprave penale dhe të autorit të saj dhe nuk ka vendosur vetë ndonjë masë të ndryshme dënimi për të. Për sa më sipër, ky pretendim i kërkuesit është haptazi i pabazuar.

 Ilir Kupa u dënua me 25 vite burg nga Gjykata për Krimet e Rënda në maj të vitit 2016, dënim që u zbut në 16 vjet e 8 muaj në Apel. Vendimi i Apelit u prish nga Gjykata e Lartë në nëntor 2022 dhe në fuqi u la dënimin me 25 vite. Për dosjen greke, Ilir Kupa u fajësua për 6 vepra penale, mes të cilave “grup të strukturuar kriminal” dhe “vrasje me dashje ndaj funksionarit publik”, mbetur në tentativë, në dëm të dy gardianëve të burgut grek. Nga burgu i Trikallës, Kupa u arratis me 10 shqiptarë të tjerë të dënuar, mes të cilëve Admir Muratajn e Klement Cala, të përfshirë në vitin 2019 në grabitjen e miliona eurove në Rinas, ku Murataj mbeti i vrarë. Ndërsa në çështjen penale, ku ishte pjesë e “bandës së babagjyshave”, të akuzuar për 13 episode grabitjes me armë, Kupa mori një dënim me 35 vite burg.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin