Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është përgjigjur sërish Gjykatës Kushtetuese pas sqarimit të saj për firmat e mbështetjes së kandidatëve për Avokat të Popullit. Bardhi këmbëngul se firmat për Endri Shabanin u tërhoqën më 5 dhjetor 2025, ndërsa raporti i Komisionit të Ligjeve që kaloi kandidaturat për votim në seancë plenare mban datën 9 dhjetor.
Sipas Bardhit, në momentin e tërheqjes së firmave nuk kishte përfunduar ende faza e verifikimit dhe kalimit të kandidaturave për votim në Kuvend. Ai kundërshton edhe sqarimin e Kushtetueses se për firmat duhej marrë si pikë reference afati i fundit që Komisioni i Ligjeve kishte vendosur për dorëzimin e tyre. Sipas tij, Komisioni nuk mund t’u caktojë deputetëve një afat se deri kur mund të tërheqin mbështetjen për një kandidat, pasi një kufizim i tillë përcaktohet me ligj.
Bardhi përmend edhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, duke thënë se ai mund t’i caktojë afate Gjykatës, por jo deputetëve të Kuvendit. Bardhi akuzon Kushtetuesen se ka manipuluar faktet dhe provat për të justifikuar, sipas tij, një vendimmarrje politike.
Reagimi i Bardhit:
Keqardhje për Gjykatën Kushtetuese që në këtë çështje u zeqinizua! Turp!
Jeni thjesht qesharakë!
Manipuluat provat për të justifikuar një vendimmarrje politike dhe tani vazhdoni të manipuloni edhe rrethanat e çështjes, vetëm për ta mbuluar atë që tashmë është bërë e qartë. Për turpin tuaj!
Kalimi i një çështjeje për votim në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë bëhet përmes votimit në Komisionin e Ligjeve dhe miratimit të raportit përkatës. Raporti i Komisionit mban datën 9 dhjetor 2025. Tërheqja e firmave, ndërkaq, është bërë më 5 dhjetor 2025, pra përpara kësaj faze.
Kjo do të thotë një gjë fare të thjeshtë: në momentin kur janë tërhequr firmat, faza e verifikimit dhe e kalimit për votim në seancë plenare nuk kishte përfunduar ende.
Prandaj, mos u përpiqni ta deformoni një fakt procedural me lojëra fjalësh, sado të thjeshta apo të komplikuara qofshin ato. Datat janë aty dhe dokumentet flasin vetë.
Ulësiu mund t’ju caktojë juve afate, por nuk mund t’u caktojë afate deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë! Deputetët njohin dhe respektojnë afatet që përcakton ligji, jo afatet që shpiken apo imponohen sipas interesit të momentit.
E njëjta gjë vlen edhe për Gjykatën Kushtetuese. Ajo nuk është Gjykata e Ulësiut, por Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Momenti juridik përcaktohet nga ligji, jo nga vullneti i askujt tjetër.
Kur faktet dhe dokumentet nuk përputhen me narrativën që dëshironi të ndërtoni, nuk mund të ndryshohen faktet. Aq më pak mund të manipulohet kuptimi i tyre.
Neveri ndaj manipulimit të provave dhe fakteve. Përbuzje ndaj deklaratave të Gjykatës që turpëron çdo gjyqtarë të asaj Gjykate sepse i nxjerr ata si trupë gjyqësore që nuk kuptojnë as atë që kanë shqyrtuar.

Lajmi kryesor:
Zgjedhja e Shabanit si Avokat Populli, Kushtetuesja rrëzon PD: Procesi i rregullt, tërheqja e firmave s’e bllokonte votimin! Bardhi përplaset me Gjykatën: Manipuluat faktet







