Mbërriti në Shqipëri për të tërhequr 1 milion euro për 250 kg kokainë prokuroria kërkon 15 vite burg për Cesar Augusto Pelaez Triana. Ai ka deklaruar para hetuesve se në Shqipëri kishte mbërritur për llogari të dy shtetasve kolumbian përkatësisht EL Chiquetette dhe Perea.

Dhe pse janë kryer mbi një vit hetime këto janë të vetmit emra që hetuesit shqiptar kanë mundur të zbulojnë pa gjetur dot blerësit shqiptarë të drogës apo personat që do t'i jepnin 1.6 milion euro Trianës.

Cesar Augusto Triana u prangos në Rinas dy ditë pas zbulimit të sasisë prej 250 kg kokainë në Malin e Zi, të fshehur në kontenierët e bananeve të firmës shqiptare nga Fieri "Rrapo Company".

kokaina mali zi

(Kokaina e sekuestruar dy vjet më parë në Malin e ZI)

Triana ka treguar për hetuesit se pas marrjes së parave ai do të fitonte një shpërblim prej 200 mijë euro.

Por si mbërriti kolumbiani me shtetësi spanjolle në shqipëri?

Ai ka deklaruar se shtetasit kolumbian e kishin porositur të vinte në shqipëri. Ai ka ardhur më 19 Maj në Rinas nga Barcelona me një ndalim në Romë.

Ka qëndruar fillimisht në hotel “Albatros” nga recepsioni i të cilit ka folur në telefon me një numër shqiptar ku i është përgjigjur dikush në spanjisht.
Pas kësaj telefonate ai ka ndërruar hotel dhe kur ka parë në lajme zbulimin e drogës në mal të zi pas më shumë se 20 ditë qëndrimi në Tiranë ka vendosur të ik pa lënë gjurmë.

Ajo që mbetet mister në këto proces dhe pse prokuroria thotë se hetimet janë të hapura është fakti se çfarë bëri Triana mbi 20 ditë në Shqipëri deri ditën e arrestimit më 10 prill, kë takoi?

Kush ishin porositësit e kokainës nga Shqipëria më kë foli në telefon dhe tek kush do merrte paratë?

Redaksia Online
Shqiptarja.com