TIRANË- Një 25-vjeçare me iniciale E.T ka rrezikuar të mbytet në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë mbrëmjen e djeshme, ndërsa ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia njofton se është shpallur në kërkim 52-vjeçari Y.H administratori i pishinës, për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë".

52-vjeçari në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për sigurinë në këto ambiente, nuk ka caktuar një person përgjegjës për të asistuar në raste të tilla. Po ashtu është vënë nën hetim penal shoqëruesi i saj O. M., 32 vjeç, sepse nuk ka ndërhyrë për ta ndihmuar atë, por ai në të vërtetë nuk ka ditur që të notojë. E reja mbeti nën ujë për pak sekonta, ndërsa u desh stafi i lokalit që të ndërhyjë për ta shpëtuar. 25-vjeçarja është dërguar me urgjencë në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

‘Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, sipas të cilit është marrë njoftim se në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë, ishte mbytur një vajzë (shtetasja E. T.), e cila pas ndërhyrjes së Policisë, u kontatua në gjendje të rëndë dhe u transportua në spital, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Y. H., 52 vjeç, administratori i pishinës, për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", pasi në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për sigurinë në këto ambiente, nuk ka caktuar një person përgjegjës për të asistuar në raste të tilla. Vijon puna për kapjen e 52-vjeçarit. Gjithashtu, u referuan materialet, si dhe nisën hetimet për shtetasin O. M., 32 vjeç, pasi edhe pse ka qënë i shoqëruar me shtetasen E. T., nuk ka ndërhyrë për ta ndihmuar atë.’- njofton policia.