Mëngjesi i 24 marsit 1999 në Kotlinë nisi me tanke, dhunë dhe terror mbi civilët. Në përvjetorin e 27-të, kryeministri i Kosovës Albin Kurti rikthen në kujtesë një nga masakrat më të rënda të luftës, duke denoncuar krimet dhe mungesën e drejtësisë për autorët. Në reagimin e tij , Kurti përshkruan me detaje ngjarjet e mëngjesit të 24 marsit 1999, kur forcat serbe rrethuan fshatin me tanke dhe mjete të blinduara, duke mbledhur me dhunë banorët në qendër dhe duke ushtruar keqtrajtim ndaj civilëve.
U.D/Shqiptarja.com"Në orët e para të mëngjesit të 24 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Kotlinë me tanke dhe automjete të blinduara. Pjesëtarë të Brigadës së Mekanizuar 243 të Ushtrisë së Jugosllavisë, në bashkëveprim me njësite speciale të policisë, mblodhën me forcë banorët në qendër të fshatit, duke ushtruar dhunë dhe keqtrajtim ndaj civilëve të pambrojtur. Pasi i keqtrajtuan, forcat e armatosura serbe vranë mizorisht tre të moshuar, trupat e të cilëve më pas i dogjën, në një akt brutal çnjerëzor. Më pas, gratë, fëmijët dhe pleqtë u dëbuan me dhunë nga fshati, ndërsa burrat u ndanë dhe u torturuan. Fshatin e shkatërruan pothuajse tërësisht, duke djegur shtëpitë, shkollën dhe ambulancën. 35 të rinj u morën peng dhe u dërguan drejt maleve, ku 22 prej tyre u vranë. Mes viktimave kishte edhe djem të moshës 16-17 vjeçare. Trupat e tyre u hodhën në puse të thella, dhe u mbuluan me eksploziv, në përpjekje për të fshehur krimin e kryer. Gjashtë muaj më vonë, në shtator të vitit 1999, ekipe të mjekësisë ligjore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), kryen ekzaminime në terren dhe dokumentuan varreza masive në këto puse, duke ofruar prova materiale për vrasjet dhe përpjekjet për fshehjen e tyre. Edhe pse ish-gjenerali i policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, një nga përgjegjësit, është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, autorët e drejtpërdrejtë të kësaj masakre nuk janë përballur ende me drejtësinë. Në përvjetorin e 27-të, kujtojmë me dhimbje dhe nderim të gjithë të vrarët e Kotlinës. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës" shkroi Kurti.












