TIRANE - Një tortë 4 tonëshe pritet të jetë gati për të gjithë qytetarët që do të vijnë në Tiranë për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor.

Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Berisha i cili në mbledhjen e sotme të qeverisë duke informuar edhe për zhvillimin e 3 koncerteve.

"Bashkia e Tiranës ka filluar punën për tortën në Guiness, që do të jetë 4 tonë, çka do të bëjë që ata, që mendojnë të shëtisin atë ditë në rrugën “Murat Toptani”, do ta kenë të pamundur. Ndaj të përcaktohen vendet për njerëzit, pasi do të jetë të shumtë ata, që do të kenë dëshirë të ndjekin aktivitetet. Ajo do të jetë një ditë që ofron të gjitha mundësitë. Ju gazetarët e shihni me habi pasjen e deshve, por ju garantoj se nuk është origjinale. Kjo është një praktikë ndjekur edhe nga lartësitë më të mëdha shtetërore. Urojmë që të mos ketë shi atë ditë, por edhe nëse bie shi, të mos harrojmë se edhe 100 vjet më parë ishte ditë me shi, ndaj të mos ankohemi."- tha Berisha

Kryeministri informoi dhe për festimet në Vlorë e Tiranë.

“Do të ketë 3 koncerte në Tiranë dhe një në Vlorë me zërat më të mirë e të bukur nga muzika e folkut, nga zërat shqiptarë të skenave deri tek më prestigjozët e Europës dhe Botës. Do të ketë paradë në Tiranë. Festa me datën 28 nis në Vlorë ku në 27 në darkë do të ketë koncert dhe një darkë të përbashkët mes autoriteteve qendrore dhe vendore."- tha Berisha.

Më 28 Nëntor në orën 10 Presidenti i Republikës do të ngrejë Flamurin dhe do të vendosë kurora në varrin e Ismail Qemalit dhe do ketë një fjalë kushtuar 100-vjetorit të ngritjes së flamurit kushtuar pavarësisë. në një miting të madh.

HOMAZHE DHE TEK VARREZAT E DESHMOREVE TE LUFTES NACIONAL ÇLIRIMTARE
Më pas, festa spostohet në Tiranë me ngritjen e flamurit dhe vendosjen e kurorave tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
"Nuk duhet të harrojmë se jo vetëm këtë vit, por çdo vit dhe çdo kohë, nderimi iu përket të gjithë atyre që kanë rënë për flamur dhe liri, si atyre që kanë rënë në betejat për pavarësi, ashtu dhe të rënëve në betejat për çlirim."- tha Berisha duke shtuar "Siç dihet pas shpalljes së pavarësisë, vendi ishte i pushtuar dhe janë me qindra e mijëra shqiptarë, ato që kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Vlorës, Shkodrës, Kukësit, Tropojës, të Peshkopisë, e të mbarë trojeve shqiptare. Shqiptarët nuk mund të harrojnë ditën kur flamuri ngrihej në Vlorë dhe pushtuesit arritën në Durrës, jo nga deti, por nga toka. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore mijëra vajza dhe djem ranë gjatë kësaj periudhe, apo dhe qindra anëtarë të policisë që kanë rënë për tu bërë të pavdekshëm. Kujtojmë këtu Feti Voglin që ra në Afganistan, apo dhe shumë të tjerë. Kështu që, kjo është një ditë e nderimit të të rënëve të kombit dhe çdo koment është i gabuar."

Çdo vit PD, e kryeministrit Berisha  zhvillon me 28 Nëntor, festën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të Shqipërisë në 1944. Ndërsa PS e LSI festojnë ditën e Çlirimit më 29 Nëntor.
(eç/sg/shqiptarja.com)