Republika e Maqedonisë Veriore sot e shënon 28-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran. Në lidhje me këtë kanë ardhur edhe urimet e para nga politika shqiptare.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me rastin e 28 vjetorit të pavarësisë. Ruçi shkruan në letrën e tij se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende fqinje, e mike, në një partneritet të ngushtë në kontributin e tyre për zhvillimin, paqen dhe sigurinë në rajon duke vënë theksin në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Letra e plotë
I dashur Talat,
Me rastin e 28 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, Ju dërgoj urimet më të mira për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mirëqenien e qytetarëve të saj dhe suksese në rrugëtimin e saj europian.
Nëpërmjet Jush i dërgoj urimet më të mira Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, qytetarëve të vendit tuaj dhe një urim vllazëror shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende fqinje, e mike, në një partneritet të ngushtë në kontributin e tyre për zhvillimin, paqen dhe sigurinë në rajon.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende me një rol vendimtar në zhvillimin, paqen dhe stabilitetin në rajon.
Të dy vendet tona janë aktualisht drejt kurorëzimit të përpjekjeve të tyre për çeljen e negociatave të pranimit me Bashkimin Europian.
Jam i lumtur të konstatoj se shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë një kontribut të pazëvëndësueshëm në zhvillimin, përparimin e stabilitetin e vendit si edhe përshpejtimin e proceseve të integrimit europian dhe atlantatik.
Presidenti i Republikës Ilir Meta me anë të një mesazhi të gjatë dërguar homologut të tij në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski i ka uruar këtij shteti 28-vjetorin e Pavarësisë.
Ndër të tjera në mesazhin e tij Meta ka shkruar se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve do të vijojnë që të forcohen edhe më shumë.
Presidenti Meta thekson se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve japin një forcë të madhe për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të të dy vendeve.
Mesazhi i plotë i Metës:
"28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj. Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen.
Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin - që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurtë. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
Së bashku me urimet më të mira e të përzemërta për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të vendit Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë."