Ilir Meta ka reaguar një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për dënimin e Fatime Kryemadhit, ish-vjehrrës së tij, për pastrim parash. Përmes një postimi në Facebook kreu i Partisë së Lirisë e ka cilësuar vendimin e gjykatës të pavlefshëm nga ana procedurale, duke pretenduar se gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor nuk është provuar as fakti penal dhe as bashkëpunimi mes personave të përfshirë.

Në reagimin e tij, Meta kundërshton mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke theksuar se nuk është thirrur nga trupa gjykuese që dha vendimin, por as nga tre të pandehurit e tjerë.

Sipas tij, ai vetë kishte kërkuar që këta persona të thirreshin gjatë gjykimit të çështjes së tij në themel, në mënyrë që të përballej me pretendimet e Prokurorisë.

Reagimi i plotë i Metës:

Vendimi i djeshëm i GJKKO për tre personat e pretenduar, që kanë bashkëpunuar me mua ka ZERO vlerë proceduriale, sepse gjatë hetimit dhe seancave të gjykimit, deri në ditën e ndarjes së çështjes nga GJKKO e Shkallës së Parë, nuk është pranuar as fakti penal dhe as bashkëpunimi nga asnjë i pandehur.

Edhe nga tërësia, vlerësimi i provave të tjera, nuk provohet fakti penal objekt hetimi dhe gjykimi.

Po kështu, unë nuk jam thirrur nga trupa gjykuese që mori vendimin e djeshëm, por as jam thirrur edhe nga tre të pandehurit .

Ndërsa unë kam kërkuar thirrjen e të tre të pandehurve gjatë gjykimit tim në themel sipas episodeve që pretendon Prokuroria.

Shkaqet e vendimit tim për t'i thirrur këta tre të pandehur janë për të zeruar çdo pretendim, falsifikim, manipulim dhe çdo alibi propogandistike dhe morale.

Unë nuk di të fshihem, por vetëm të përballem.

E vërteta ka qenë dhe do të jetë në anën time dhe të gjithë patriotëve të pamposhtur.

GJKKO caktoi për Fatime Kryemadhin 7 vite e 6 muaj burgim, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 5 vite dhe u konvertua në 2 vite shërbim prove.

Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesën për konfiskimin e pasurisë së Kryemadhit. Ndërkohë, procesi vijon me gjykimin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.