Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se tre anije cisternë nafte, të cilat sipas saj shoqëroheshin nga Shtetet e Bashkuara, kanë marrë flakë pasi goditën mina detare në Ngushticën e Hormuzit.
Forca detare iraniane paralajmëroi kompanitë e transportit detar se “shoqërimi ushtarak nga forcat e armatosura amerikane nuk i përjashton ato nga detyrimi për të respektuar rregullat e lundrimit” të vendosura nga Irani në Ngushticë dhe deklaroi se do të marrë masa vendimtare kundër çdo anijeje që lundron nëpër rrugë të paautorizuara ose që shpërfill paralajmërimet e saj, duke i konsideruar këto veprime si një formë bashkëpunimi me forcat armike.
Komunikata nuk dha hollësi lidhur me flamurin e anijeve, shkallën e dëmeve apo praninë e viktimave të mundshme.
Nga data 1 deri më 22 nëntor, janë raportuar 20 raste incidentesh që kanë përfshirë anije në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Persik dhe të Omanit. 17 prej tyre janë klasifikuar si sulme.
Përpjekjet diplomatike për fundin e luftës dhe një marrëveshje vijuan në Uashington ndërkohë. Kryeministri i Katarit, vend ndërmjetësues që po përpiqet të ringjallë negociatat mes palëve u prit nga Sekretari I Shtetit Marco Rubio.
Vizita e kryeministrit të Katarit, e dyta brenda më pak se një muaji, kishte në qendër të bisedimeve, sipas raportimeve të mediave amerikane, ishte krizën me Teheranin.
Pas Rubios Al Thani, takoi edhe zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, ndërsa detajet e këtij takimi nuk u bënë publike nga shtëpia e bardhë.
Irani ndërkohë u qëndron kushteve të tij për të rinisur negociatat. Kryetari i Parlamentit iranian dhe kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se nuk do të ketë “asnjë negociatë” me SHBA derisa të plotësohen shtatë kushtet e vendosura nga Irani.
“Përballë deklaratave dhe kërcënimeve të fundit, absurde, të presidentit të Shteteve të Bashkuara, duhet të theksoj se qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm. Nuk do të ketë asnjë veprim apo negociatë derisa të plotësohen shtatë kushtet e vendosura nga Irani” deklaroi Ghalibaf përpara Parlamentit.








Komente
Komento