3 artistë të rinj të 'Operas' dhe pianistja Veizaj, drejt Beratit për të çuar magjinë e muzikës klasike! Xhelili, Vera dhe Murrja: Na nxit pasioni

3 artistë të “Operas” dhe koncertmaestroja Fjorda Veizaj prej muajsh bëjnë prova për të mbajtur disa koncerte në rrethe. Me dëshirën për të çuar muzikën klasike përtej Tiranës, ata e nisin projektin artistik prej vendlindjeve të tyre, dhe me shpresën se do të gjejnë mbështetje dëshirojnë ta zgjerojnë hartën ku do të çojnë pak nga magjia e “Operas”

Të çojnë muzikën klasike përtej Tiranës... Është ky misioni që ndërmarrin tri artistë të rinj të “Operas” , të shoqëruar nga koncertmaestroja Fjorda Veizaj. Janë duke bërë prova prej disa muajsh, dhe së pari duan të përcjellin magjinë e “Operas” në vendlindjet e tyre...

Berati, është qyteti nga vjen baritoni Artur Vera, ndaj nuk e fsheh entuziazmin për koncertin e kësaj të shtune në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”... Do të interpretojnë pjesë nga opera të kompozitorëve si Moxart, Bellini, Verdi e të tjerë...

“Do mbajmë koncert në Berat, një qytet i cili nuk ka pasur një marrëdhënie të shpeshtë më këngëtarë lirik, dhe kjo iniciativë e jona jep mesazhin për të qenë më të afërt me një zhanër të tillë siç është ‘Opera’ që deri në një periudhë të caktuar është konceptuar si art elitar”, thotë baritoni Artur Vera.

Prej afro tri vitesh, së bashku me sopranon Rovena Xhelili dhe tenorin Gerald Murrja, janë pjesë e performancave të Teatrit të “Operas”.

“Të qenit pjesë e ‘Operas’, padyshim që është shumë impenjative, por patjetër që kjo është kënaqësia jonë më e madhe që të performojmë në ‘Opera’. Por fakti që ne tashmë po performojmë edhe në qytete të tjera është diçka edhe më inspiruese sepse në Tiranë ka njerëz që njihen me ‘Operan’ dhe vinë ta ndjekin, ndërsa ne jemi një grup të rinjsh që jemi duke shkuar në një qytet për të prezantuar këtë rrymë muzikore”, thotë sopranoja Rovena Xhelili.

“Për ne është një kënaqësi dhe sfidë e madhe. Është hera e parë që shkojmë të japim shfaqje në Berat, mezi po presim ta përjetojmë këtë eksperiencë e më pas të vijojmë edhe në qytete të tjera”, thotë tenori Gerald Murrja.

Rrëfejnë se nuk është e lehtë, por dashuria për profesionin i nxit të përballen me sfidat e të kërkojnë mundësi të reja skenike për të shpalosur talentin e tyre.

“Është pasioni i madh që të nxit t’i gjesh mundësitë aty ku janë”, thotë Vera.

Fjorda si pedagoge pranë “Arteve” i ka përcjellë të rinjtë si studentë, dhe thotë se është lumturohet tek i sheh që dita-ditës rriten artistikisht në institucionin më prestigjioz të kulturës në vend...

“Jam mjaft e kënaqur për rezultatet e tyre të larta dhe për arritjet e tyre artistike që kanë realizuar deri më sot”, thotë pianistja Fjorda Veizaj.

Shqipëria ka nevojë që këta artistë të talentuar t’i ketë në skenat e saj, ndërsa për ata lipset edhe mbështetja e institucioneve, për të çuar përpara projektet e tyre artistike.

G.MO/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?