TIRANË- Ditën e sotme kanë tërhequr një vëmendje jo pak të madhe, disa kuaj të zinj të vendosur para Kryeministrisë. Report Tv ka mësuar se ato janë pjesë e ekspozitës “Leviatani mekanik” që do të çelet sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog. Autori i Ekspozitës është artisti Ergys Krisiko, ndërsa kuratore është Ajola Xoxa.

Krijesa mitologjike e Leviatanit është një përbindësh nënujor i përmendur për herë të parë në Testamentin e Vjetër Biblik.  Siç shpjegohet në tekstin kuratorial, kjo krijesë është simbol i fuqisë së madhe krijuese të Zotit, por ka edhe anën e errët. Shihet gjithashtu si një bishë demoniake dhe e aftë për të vrarë.

Që publiku të ndiejë praninë e veprës, e të reflektojë rreth fuqisë së “Leviatanit”, nëse ajo është e errët apo e padëmshme,  jashtë kryeministrisë vendosen edhe tri kuajt.

Pyetja që shtrohet në tekstin shoqërues lidhur me tri krijesat që kanë një pamje të qetë, e qëndrojnë “duke ngrënë bar”, është : “ E nëse këta mbretër të natyrës së egër nuk kanë frikë përballë Levatianit të madh, pse duhet të ketë vizitori”?