/ATSH/- Monedha vendase ka vijuar të nënçmohet ndaj shportës së monedhave të huaja kryesore në tremujorin e dytë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, indeksi i kursit nominal efektiv të këmbimit (KNEK) u nënçmua mesatarisht me 3.0% në terma vjetorë. Kjo ecuri u diktua plotësisht nga dobësimi i monedhës vendase ndaj dollarit amerikan.
Banka Qendrore bën të ditur se, presionet nënçmuese kanë ardhur duke u dobësuar në fund të periudhës tremujore. Në terma realë, është vënë re një nënçmim më i përmbajtur i lekut (2.0% në bazë vjetore). Shkak për këtë kanë qenë normat e inflacionit më të larta në vend, krahasuar me ato të regjistruara në shtetet e Eurozonës.
Banka parashikon që, indeksi i presioneve në tregun valutor dikton një rritje të lehtë të presioneve në muajt maj dhe qershor, por gjithsesi ai mbetet brenda intervalit historik. Kërkesa për valutë ka rezultuar në rritje deri në muajin qershor. Nga ana tjetër, oferta më e lartë për valutë duket të jetë përqendruar në pjesën e dytë të muajit qershor, në linjë me sezonalitetin e periudhës. Në terma bilateralë, kursi mesatar i këmbimit Eur/Lek rezultoi në nivelin 140.6 në tremujorin e dytë. Leku shënoi nënçmim të lehtë, si në terma vjetorë (0.4%), ashtu edhe në ato tremujorë (0.3%).
Leku është nënçmuar ndaj dollarit amerikan me 24.0% në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që është mbiçmuar me 2.0% në terma tremujorë. Zhvillimet e dollarit amerikan në tregjet e huaja valutore kanë gjetur pasqyrim edhe në tregun vendas. Në tremujorin e dytë, raporti mesatar usd/lek ishte 127.2.