TIRANË- Në një kohë që kompanitë e sigurimeve dhe shumë ekspertë të ekonomisë kërkojnë hartimin e një projektligji për sigurimin e detyrueshëm të pronës nga fatkeqësitë natyrore, drafti i hartuar rreth dy vite për parë nga qeveria me bashkëpunim me Bankën Botërore ende nuk është zyrtarizuar. Profesori dhe eksperti i njohur i kësaj fushe Elvin Meka sqaron për Report TV se tre janë shkaqet kryesore që kanë ndikuar në nivelin kaq të ulët të sigurimit të pronës nga forcat e natyrës.

“Së pari, në Shqipëri ka një nivel shumë të ulët kulture të sigurimeve, e lidhur kjo me mungesën e një eksperience dhe pranie institucionale në këtë drejtim. Së dyti, kjo qasje që vjen thelbësisht si pasojë e marrëdhënieve individ-shtet që ishin krijuar gjatë sistemit komunist, ku Shteti ishte “përgjegjës” për gjithçka dhe individi mbështetej për çdo shërbim te shteti. Së treti, mendoj se ka ende rezerva në cilësinë e shërbimit nga industria e sigurimeve, në drejtim të mbulimit të saktë dhe të plotë të dëmeve, gjë që dëmton dhe ka pasoja në besueshmërinë e këtyre produkteve në sytë e individit dhe biznesit”, thotë Meka.

Përsa kohë qytetarët nuk janë të prirur të sigurojnë vullnetarisht  pronën, biznesin apo dhe jetën, ideja sigurimeve të detyrueshme mund të jetë hapi i parë drejt një kulture të re edukimi. 

"Ideja e futjes së sigurimeve të detyrueshme për pronat, më shumë sesa për bizneset, mund të jetë një oportunitet ekstrem për të siguruar fillesat e një kulture të re edukimi në fushën e sigurimeve, por dhe për të lehtësuar barrën e shtetit dhe qeverisë lidhur me kostot e fatkeqësive natyrore”, vijon eksperti Meka.

Faturat financiare që shteti paguan për dëmet që shkaktojnë fatkeqësitë e ndryshme natyrore në vitet e fundit kanë qenë të kripura. Rasti më i prekshëm është ai i tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku veç burimeve financiare të brendshme, vendi mori jo pak por 1 miliardë e 115 milionë euro në konferencën e donatorëve, shumica kredi për të rindërtuar vendin. Por nëse do kishte një kulturë të sigurimit, kostoja për qeverinë do ti ishte më e ulët pasi dëmi do të ndahej me kompanitë e sigurimit.