Policia e Shtetit ka marrë pjesë në operacionin kundër ndotjes detare, i koduar si "30 ditë në det".
Sipas njoftimit të policisë janë ndërmarrë në hapësirën detare të Shqipërisë më shumë se 58 inspektime, në të cilat janë angazhuar 150 forca dhe 49 mjete lundruese. "Gjatë operacionit janë kontrolluar 104 mjete lundruese për ndotje detare, si dhe u konstatua një rast i ndotjes detare në Portin e Durrësit nga një mjet peshkimi, që u mbyt duke marrë me vete edhe një sasi hidrokarburi (naftë) prej 500 litrash", thuhet më tutje në njoftimin e policisë.
Operacioni njëmujor, i cili zgjati nga data 1-31 tetor, është zhvilluar me përfshirjen e 276 agjencive të zbatimit të ligjit dhe agjencive mjedisore në 58 vende të ndryshme të rajonit.
"30 ditë në det" është ndjekur nga një fushatë ndërgjegjësimi globale në bashkëpunim me Agjencinë për Mjedisin të OKB-së, për të treguar ndikimin e madh që ndotja detare ka ndaj sigurisë njerëzore dhe mjedisore si dhe ndaj zhvillimit ekonomik në mbarë botën. Po sipas njoftimit policor, duke filluar nga sot, do të ketë një tjetër fushatë ndërgjegjësimi mbi ndotjen detare.