Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë konkluzionet përfundimtare për shtetasit Ilir Nishanin, Genci Hicka dhe Gerson Tafa të cilët dyshohen se morën ryshfet në cilësinë e inspektorit të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit. 

Prokurori Behar Dibra kërkoi dënimin me 2 vite burg për Ilir Nishanin, Genci Hiçka dhe Gerson Tafa.

Gjithashtu ai kërkoi që dënimi të konvertohet në shërbim prove për një periudhë 3 vjeçare, si dhe të aplikohet “heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike” për 3 vite.

Në janar 2020, mjeku Kostandin Balloma ka kallëzuar në SPAK 3 inspektorët. Sipas mjekut, Hiçka, Tafa dhe Nishani ishin inspektor të Ministrisë së Mjedisit, dhe i kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30. 000 lekë.

Këta të fundit janë personat të cilët dhanë paratë por edhe bënë kallëzimin për 3 inspektorët. Gjykata kërkon që edhe mjekët të merren të pandehur, pasi edhe ata e kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit Aktiv”.