30 vjet pa Endri Kekon, një jetë në kinematografi

30 vjet pa Endri Kekon, një jetë në kinematografi

Kanë kaluar rreth 30 vjet dhe filmi shqiptar ende nuk po e shënon kthesën e madhe të tij si në kohën e ish Kinostudios “Shqipëria e re”, me gjithë buxhetet dhe sakrificat e shumta të artistëve. Të këqijat që erdhën për filmin shqiptar nga shkatërrimi i ish Kinostudios në fillimin e viteve ’90 janë bërë tashmë të pariparueshme. Që nga fillimi i viteve ‘50 e deri në vitet ’90, kinostudioja “Shqipëria e re” vlonte nga energjia, pasioni dhe forca e madhe krijuese. Duke kapërcyer përtej diktatit ideologjik, si kurrë ndonjëherë Shqipërisë i lindën aktorë, regjisorë e artistë të kalibrit të lartë me profile të papërsëritshme, shembuj të mëdhenj të artit të së sotmes dhe të së ardhmes.

Ndërsa ka ardhur koha që të kthejmë kokën pas, është e pamundur të përmendet në një listë e gjatë aktorësh e kienastësh që bënë epokë në filmin shqiptar, ndaj do të qëndrojmë këtë herë vetëm tek një emër, tek kinoregjisori Endri Keko. Arsyeja është e thjeshtë, sepse Endri Keko, Artist i Popullit, lindi 95 vjet më parë, më 31 Mars 1924 në Milliuocket të shtetit Maine (USA) dhe u nda nga jeta 30 vjet më parë më 8 Prill 1989 në Tiranë. Këto data të afërta përkujtese vlejnë që ta rikthejmë në memorien e lexuesve kontributin dhe punën e Endri Kekos, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, regjisoren e madhe Xhanfise Keko, ia dedikoi familjarisht jetën kinemasë shqiptare.

Kush ishte Endri Keko

Me kthimin në Shqipëri në vitin 1930 dhe mbarimin e shkollës fillore në fshatin Dardhë të Korçës ku jetonin prindërit e tij, punon në punë të ndryshme si druvar në pyjet e Moravës, punëtor në kantierin e mirëmbajtjes së rrugës Korçë - Dardhë apo çirak në familjet e mëdha korçare të Abeshinjve dhe Sherkove.

Vjeshta e vitit 1942 e gjen partizan të çetës “Morava”, viti 1943 pjesë të batalionit “Fuat Babani”,  ndërsa çlirimi i vendit në radhët e Brigadës së XV - s.

Karrierën do ta niste si ushtarak por në vitin 1947 u lirua e nisi punë në Ndërmarrjen Kinematografike prej nga ku në vitin 1950 do të dërgohej në Moskë për t’u përgatitur si regjisor filmi dokumentar.

Me kthimin në Atdhe në vitin 1952, fillon punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” duke hyrë në histori si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.

Po si rodhi jeta profesionale e regjisorit të parë të kinematografisë shqiptare?...

Kur regjisori Endri Keko vendosi kutinë e parë në raftet bosh të filmarkivit, ishte data 10 Korrik 1952 dhe në kapakun e saj shkruhej “Kinostudio SHQIPERIA E RE - viti 1952 - Kinozhurnal nr. 1”. Nga ajo ditë e deri më 14 Maj 1979 kur u largua përfundimisht nga krijimtaria dhe vendosi kutinë e 338 në raftet e filmarkivit, ai realizoi 68 filma dokumentarë, 35 filma kronikalë, 38 kinozhurnalë dhe 1 film artistik. “Shqipëria”, “Dritë mbi Shqipëri”, “Pranvera e nëntë”, “Në shtigjet malore”, “Letër nga fshati”, “Ringjallje”, “Vallzim i shqipeve”, “Në flakë të revolucionit”, “Rruga jote, shok”, “Tregim në sytë e nënës”, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve të tij ndër më të suksesëshmit e që për atmosferën, këndvështrimin dhe nivelin artistik, për studiuesit e kinemasë mbeten edhe sot një pasuri e çmuar e me vlerë.

Kanë kaluar 40 vjet nga dita kur regjisori Endri Keko u shkëput nga krijimtaria. Megjithatë, ai mbahet mend si regjisori që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi, filmi muzikor e kinopoema deri tek filmi dokumentar e artistik. Fitues i Kupës për filmin më të mirë dokumentar në Festivalin e dytë të Filmit Shqiptar (1977) dhe Festivalin e tretë të Filmit Shqiptar (1979), fitues i Çmimit të Nderit në Festivalin e Karlovy Varyt (Çekosllovaki - 1952), Diplomës së Nderit në Festivalin e Moskës (BRSS - 1959), Medaljes së Bronxit në Festivalin e Parisit (Francë - 1962) dhe Diplomës së Nderit në Festivalin e Lajpsigut (DDR - 1962), fitues i Çmimit të Republikës në vitet 1959, 1970 dhe 1979, fitues i shumë çmimeve në konkurset letrare për skenarë filmash, Endri Keko vazhdon të konsiderohet edhe sot personaliteti më i spikatur dhe më i vlerësuar i gjinisë së filmit dokumentar shqiptar.

Me këtë rast po sjellim për lexuesit nga ditari i tij ende i pabotuar me titullin kuptimplotë “Ditari i një kinoregjisori” dy momente: atë të ditës së parë dhe ditës së fundit të punës në kinematografi.

E Martë, 8 Prill 1952

Me entusiazmin, deshirën dhe mendimet për punën e re që do të filloj së shpejti në Kinostudio, u drejtova për në Komitetin e Arteve dhe të Kulturës, ku më kishin lajmëruar të paraqitem.

Godina e vogël dykatëshe, ku ndodheshin zyrat e Komitetit dhe të Ndërmarrjes Kinematografike dhe ku unë kisha punuar prej afro tre vjetësh, më zgjoi kujtime të përmallshme. Këtu, në këto dhoma, me dhjetëra herë ishim mbledhur me Foto Stamon, Miço Kallamatën, Sofokli Afezollin, Vaskë Aristidhin, Kolë Jakovën, Janaq Paçon e shokë të tjerë për të gjykuar për dramat e këngët, për pikturat e skulpturat që na vinin nga shkrimtarët dhe artistët e rinj të Shqipërisë. Këtu, kush e di sa herë në ditë binin telefonat nga qarqet që kërkonin skeçe e këngë për shtëpitë dhe vatrat e kulturës, filma për kinematë, kitara e mandolina për grupet amatore, pëlhurë për perdet e skenave, beze, furça e bojëra për piktorët, allçi e çimento për skulptorët, letër fotografike për muzeumet, tela për çiftelitë, llampa vajguri për bibliotekat, lekë për të riparuar çatitë dhe karriget e kinemave.

Kalova nëpër koridorin e katit të parë dhe u drejtova për në dhomën e kryetarit. Fatmir Gjata, i cili një vit më parë ishte emëruar në këtë detyrë dhe me të cilin më lidhte një miqësi e vjetër partizane, më priti si gjithnjë, plot humor. Sa më pa, u ngrit nga vendi, hapi një dosje që kishte përpara, nxori prej saj një copë letër dhe pa e zgjatur, më tha:

- Na, merre! E mbajtsh me shëndet! Këtu ke emërimin. Ishe hyzmeqar, u bëre regjisor.

Nuk e di pse, atë çast, kur Fatmiri më dha shkresën në dorë e humba qetësinë dhe u emocionova. Ndoshta se, kjo shkresë më tregon përfundimisht rrugën në të cilën do të më duhet të ec këtej e tutje. Ndoshta se në atë shkresë është fiksuar, jo vetëm e sotmja, por dhe e ardhmja e jetës sime. Sido që të jetë, kjo është një ditë e rëndësishme për mua, dhe, si e tillë, ajo nuk do mund të fshihet nga memorja deri në fund të jetës, megjithëse emërimi në rastin tim është bërë fakt nga data 1 Prill 1952 dhe unë kam filluar punë në detyrën “regjisor” me rrogë 7500 lekë.

Dola nga Komiteti me sy të përlotur. Asnjëherë jeta nuk më kishte parakaluar me kaq shpejtësi dhe krijuar kaq emocione të fuqishme.

Deri në moshën 14 vjeç nuk kisha parë kinema me sy. Në Dardhën time të dëgjuar e të bukur, në fshatin e maleve të lartë, pishave, lëndinave, luleve e bilbilave, vinin në ditët e nxehta të verës shumë makina, por asnjëherë nuk i pashë ato të sillnin ndonjë film. Ato vinin dhe në vend të filmave, me ndonjë përjashtim të rrallë, sillnin bejlerë, aristokratë, tregtarë, njerëz të oborrit mbretëror, ministra, deputetë. Kinemaja ime dhe e shokëve të mi e atyre viteve ishte e quajtura “karagjuzë”, pjellë e fantazisë së popullit, e dëshirës së tij për të argëtuar fëmijët, qoftë me mjetet dhe mënyrat më primitive.

Zakonisht, pranë murit të një oborri, ndërtohej një kasolle e vogël ku, dy anët e saj mbylleshin me batanije ndërsa pjesa e përparme me një çarçaf të bardhë. Sa ngrysej, brenda saj hynin dy njerëz që spikatnin si imitues, dhe, ndërsa njeri lëvizte mbi çarçaf figurat e përgatitura prej kartoni e që ishin të mbërthyera nëpër shkopinj të vegjël, tjetri mbante qirinj të ndezur për të ndriçuar figurat në errësirën e natës. Përpara perdes, në shesh, uleshin spektatorët e vegjël, bashkë me ta dhe ndonjë i madh, të cilët ishin të detyruar që në vend të biletës së hyrjes për në shfaqjen “kinematografike” të sillnin me vete nga një qiri.

Repertori i shfaqjes përbëhej nga dy - tre numra, ku trajtoheshin ngjarje nga jeta dhe që në fund shkaktonin të qeshura e kënaqësi tek spektatorët. Për shembull, për disa vjet me radhë u shfaqën me shumë sukses dy skeçe.

Në njërin prej tyre, një plak i kërrusur, me një thes mbi shpinë e shkop në dorë, shkonte një rruge qyteti për të lypur bukë. Prej një shtëpie dilte një zonjë dhe pasi e kërcënonte se po i prishte qetësinë, i këpuste një të sharë gjithë inat. Plaku, i nxehur, ngrinte shkopin dhe ja përplaste asaj pas koke. Zonja hynte brenda duke qarë e përcjellë nga fishkëllimat e spektatorëve.

Në skeçin tjetër, tregohej një prift që ecte rrugës duke tërhequr pas kapistrës një gomar të ngarkuar me thasë plot me meshë. Në ecje e sipër i dilte përpara e shoqja, një grua shumë e sertë e cila e shante sepse nuk kishte marrë nga kisha bashkë me meshat dhe paratë që kishin lënë nëpër ikona besimtarët. Kur zhvillohej ky dialog, pas shpinës së tyre shfaqej një gomar i cili pasi i shqyente me dhëmbë thasët, fillonte të hante meshat. Prifti i inatosur ngrinte shkopin i shoqëruar nga të bërtiturat e të shoqes dhe të pëlliturat e dy gomerëve.

Kjo ishte kinemaja e fshatit tim në ato vite kur kishte shumë fshatra që nuk e kishin fare as atë dhe ku unë mora të parin përfytyrim mbi kinemanë. A mund të më shkonte mua ndër mend se do të vinte një ditë që nga regjisor “karagjuze” të bëhesha regjisor filmi?...

E Hënë, 14 Maj 1979

Sot, ishte dita e fundit e punës sime në Kinostudio. Gjendja shëndetësore, nuk më lejon të punoj siç di dhe dua unë. Drejtoria në fakt këmbënguli të mos dilja në pension, por unë e kisha vendosur dhe u largova. Ndaj, e falenderova që mendoi të qëndroja e vazhdoja punën dhe i kërkova të mos mendonte për ceremoni ndarjeje.

Kur hyra në rrugën e kinematografisë isha 28 vjeç. Sot jam 55 vjeç. Në këto njëzeteshtatë vjet realizova shumë filma dokumentarë, filma kronikalë, kinozhurnalë dhe 1 film artistik. Jo pak. Ja pse sot ndjehem mirë dhe i qetë. Gjithë jetën punova me ndershmëri, pasion, dashuri, besim e krenari për veten, njerëzit dhe vendin tim. Mbi të gjitha, ndjehem i lumtur, se në gjithë këta vite bashkëpunova me njerëz të mrekullueshëm e profesionistë të vërtetë.

Kthej kokën pas në vite, dhe, përpara më dalin portretet e atyre me të cilët ndava gëzimet e hidhërimet e punës krijuese… skenaristëve, autorëve të teksteve dhe redaktorëve Llazar Siliqi, Sofokli Afezolli, Dritëro Agolli, Ymer Minxhozi, Andrea Varfi, Vath Koreshi, Agim Shehu, Kolë Jakova, Kin Dushi, Vito Koçi, Miço Kallamata, Andrea Grashi, Niko Koleka, Kopi Kyçyku, Dhimitër Tona, Ibrahim Uruçi, Angjelina Xhara, Dhimitër Xhuvani, Vangjush Gambeta, Zisa Cikuli, Resul Bedo, Verdi Take, Sotiraq Gjordeni, Peçi Dado, Kiço Blushi, Nexhati Tafa, Ilia Dedi, Muharrem Skënderi, Sulo Mushi, Kujtim Gjonaj, Luan Dibra e Vullnet Qerimi... operatorëve Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Agim Fortuzi, Sokrat Musha, Jani Nano, Mehmet Kallfa, Niko Theodhosi, Dhimitër Lala, Saim Kokona, Petraq Lubonja, Ilia Terpini, Pashko Çomo, Rakip Zeneli, Jovan Kondakçi, Pëllumb Kallfa, Lionel Konomi, Ibrahim Kasapi, Diana Diamanti, Sonja Mamaqi, Ferdinand Koruni, Bardhyl Martiniani e Viktor Sharko... regjisoreve të montazhit, montazhiereve dhe formuluesve të muzikës Xhanfise Keko, Irena Harito, Adriana Elini, Ismail Balla, Donika Muçi, Manushaqe Halili, Atalanta Pasko, Nazmije Sula, Shpresa Papapavllo, Shefiqar Basha, Rita Hanxhari, Elpiniqi Coja, Mira Meçule e Elda Budini... piktorëve Namik Prizreni, Astrit Tota, Aziz Karalliu, Tomi Vaso e Vasil Lalo... kompozitorëve Kristo Kono, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Limos Dizdari, Mustafa Krantja, Pjetër Dungu e Koço Uçi... aktorëve Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, Roza Xhuxha (Anagnosti), Margarita Xhepa, Pandi Raidhi, Kadri Roshi e Anastas Kristofori... konsulentëve Kristo Frashëri, Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo, Misto Treska, Javer Malo, Sofokli Lazri, Xhoxhi Keko, Zija Kambo e Vebi Hoxha...

Të gjithë këta bashkëpunëtorë të cilët kanë qenë dhe mbeten shumë të afërt për mua, sot, është rasti t’i falenderoj edhe një herë për përkushtimin ndaj filmit dokumentar, ashtu siç është rasti t’u kërkoj ndjesë për shqetësimet që u kam sjellë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare