Edi Rama zgjodhi analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes për të dhënë një mesazh të fortë ndaj sistemit të drejtësisë, të cilin e konsideroi si turpin më të madhe të vendit. Rama foli me një gjuhë të fortë dhe të drejtëpërdrejtë ndaj KLD-së, duke iu referuar përplasjeve të vazhdueshme të këtij institucioni me ministrin e Drejtësisë sa i përket reformimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe rrëzimit të kërkesave të Naços për të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjetur me shkelje. Për kreun e qeverisë vendosmëria për të vijuar me reformën në drejtësi gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar dhe për të luftuar të korruptuarit, është e pashmangshme edhe përballë gjuhës kërcënuese, sipas tij që KLD përdori ndaj ministrit Naço
"Sesioni i ardhshëm, sesioni kur Aleanca për Shqipërinë Europiane do të vendosë në dukje pjesën e munguar të profilit të vet, reformën në drejtësi dhe luftën pa kompromis kundër të gjithë të korruptuarve dhe të gjithë atyre që bëjnë deklarata në ekrane dhe i këndojnë kundër ministrit të Drejtësisë, kur me atë gjuhë kërcënoheshin individët. Kurrkush në histori nuk guxon të kërcënojë një mazhorancë të zgjedhur nga vota, dhe këtu e kam fjalën për KLD-në”, u shpreh kreu i qeverisë.
E një ndër ta është edhe precedenti i gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni, i cili kallëzimit të ILDKP-së për fshehje të pasurisë rreth 2 milionë euro, ja ka “hedhur” jo vetëm mee Gjykatat, por edhe në KLD ku ai vetë është anëtar. Për herë të parë kryeministri ka folur për gjyqtarin Gjin Gjoni, duke thënë se ai po bën rolin e viktimës, se po sulmohet nga politika, por në të vërtet emri i tij i kaluar kufijtë e Shqipërisë, madje është përmendur shpeshherë edhe nga zyrtarë të huaj.
Më herët kryeministri u ndal edhe te ecuria që vendi ka pasur gjatë 300 ditëve që nga ardhja në pushtet, duke renditur ekonominë, si një sukses i dukshëm falë edhe shifrave, lufta kundër krimit e drogës. Marrja e statusit kandidat u konsiderua një tjertër sukses i kryeministrit, por edhe forcimi i demokracisë, ku qytetarët nuk diskriminohen për shkak të bindjeve politike.
“Sot Shqipëria është një vend ku është e lehtë të mendosh ndryshe, dhe është e lehtë të mos jesh dakord me qeverinë, nuk të gjen asgjë përkundrazi dëgjohesh me respekt”, tha Rama.
Rama tha se qeveria nuk i ka harruar premtimet dhe do bëjë gjithcka për t’i përmbushur.
Rama: Absurde! Gjin Gjonin e njohin dhe në Angli. Vrau drejtësinë me cekicin e së drejtës. Se kam personale, është fenomenale
“Drejtësia mbetet shija e turpit që ka e gjithë shoqëria. Shija e turpit që nuk ja lejonin shqiptarët as kur respektonin Kanunin. Po e them copë se ndihemi i tmerruar kur ma përmendin si emër Gjin Gjoni. Ca arsye ka një zyrtar i lartë në Angli të dijë që është një Gjin Gjoni. Një aleancë e tërë që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjithë personat. Nuk është personale është fenomenale, dhe në këtë vend ku ka shumë martirë që s’janë vënë në vend, Gjin Gjoni bën martirin. Është vetëm një nga mijëra rastet që ne nuk i shohim ose nuk i dimë. Gjithë Gjinët e Gjonët fatkeqësisht e kanë marrë peng të drejtën dhe e kanë kthyer çekiçin në një armë për ta vrarë drejtësinë”, tha Rama.