Rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë çdo sezon veror përmes korridorit rrugor Kroaci-Mali i Zi, një nga akset më të përdorura nga ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë me makinë. Për shkak të fluksit të lartë, sidomos gjatë fundjavave dhe ditëve të pikut, në këtë segment krijohen shpesh pritje të gjata në pikat kufitare. Kështu ka ndodhur edhe këtë fundjavë rradhë të gjata deri në 10 orë në këto pika kufitare.
Për këtë situatë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse në Kroaci dhe Mal të Zi, me synimin që kalimi në kufi i shtetasve shqiptarë të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë.
Në njoftim thuhet se, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, po punohet për shtimin e kapaciteteve në mënyrë që pritjet në pikat kufitare të minimizohen sa më shumë.
Ministria thekson se rritja e lëvizjeve gjatë sezonit turistik krijon ngarkesë të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare, por shton se do të vijojë bashkërendimin me autoritetet përkatëse për të identifikuar zgjidhje praktike që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë.
Njoftimi i Ministrisë
"Rritja e ndjeshme e mobilitetit në rajon dhe flukset gjithnjë e më të mëdha të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë me rrugë tokësore gjatë sezonit turistik shoqërohen, në periudhat e pikut, me pritje të gjata në pikat kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi. Ky është një fenomen që, për shkak të volumit shumë të lartë të lëvizjeve, përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me fluksin më të madh.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë, duke shtuar kapacitetet për të minimizuar, në masën më të madhe të mundshme, pritjet në pikat kufitare.
Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor. Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare. Megjithatë, kjo nuk e zbeh angazhimin tonë për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse, për të identifikuar zgjidhje praktike dhe për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve tanë, deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë"
Komente









