Një kolonë automjetesh mbi 20 kilometra është krijuar në jug të Kroacisë, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, ndërsa banorët e zonës kanë nisur të ndihmojnë udhëtarët e bllokuar në trafik duke u shpërndarë ujë dhe duke i lejuar të përdorin tualetet në shtëpitë e tyre.
Sipas mediave kroate, pamjet e filmuara në Çilipi tregojnë një radhë pothuajse të palëvizshme automjetesh që shtrihet drejt kufirit. Sipas mediave kroate, kolona është më e gjatë se 21 kilometra, ndërsa shumë persona kanë dalë nga makinat dhe presin në anë të rrugës.
Mediat thonë se pritjet në kufi arrijnë deri në 10 orë, ndërsa sipas informacioneve jozyrtare nga terreni, disa udhëtarë pretendojnë se kanë pritur edhe deri në 28 orë.
Bllokimi është krijuar si pasojë e fluksit të madh të automjeteve drejt Malit të Zi, procedurave të reja në kufi dhe kapaciteteve të kufizuara të pikave kufitare Debeli Brijeg dhe Konfin. Si pasojë, trafiku është përhapur në rrugët e Konavles, duke krijuar radhë kilometrike dhe pritje të gjata.
Problemi ka prekur edhe banorët e zonës, të cilët përdorin të njëjtat rrugë për lëvizjet e përditshme. Në disa raste, rrugët lokale janë bllokuar plotësisht, duke bërë që banorët të mos arrijnë në shtëpitë e tyre për orë të tëra.
Kryetari i Komunës së Konavles, Bozho Lasiç, tha se zona është praktikisht e paralizuar nga trafiku. Ai kërkoi masa urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se kontrollet kufitare duhet të mbeten prioritet, por pa lënë banorët të izoluar.
Për shkak të pritjeve të gjata dhe temperaturave të larta, në zonë është vendosur edhe një cisternë me ujë të pijshëm për t'u ardhur në ndihmë udhëtarëve. Ndërkohë, është aktivizuar edhe Shtabi i Mbrojtjes Civile i Komunës së Konavles, ndërsa banorëve u është bërë thirrje të shmangin udhëtimet e panevojshme me automjete deri në normalizimin e situatës.
Lajmi kryesor:
Shqiptarët presin me orë të tëra në kufirin Kroaci-Mali i Zi, ministria e Jashtme: Po punojmë me autoritetet për të ulur pritjet në pikat kufitare
Komente










