Pak ditë më parë në shtypin gjerman u publikua lajmi se qeveria do të mbështesë me ndihma financiare azilantët që duan të rikthehen në vendlindje dhe se afati i kërkesave për këto ndihma përfundon në fund të muajit shkurt.

Thelbi i lajmit ishte se deri më 28 shkurt azilkërkuesve të cilëve u është refuzuar e drejta e qëndrimit në Gjermani mund të kërkojnë një ndihmë për t’u riintegruar në vendin e tyre të origjinës dhe se familjet mund të marrin deri në 3000 euro, kurse individët deri në 1000 euro.

Por, pas publikimit të lajmit në Shqipëri, ka reaguar ambasada gjermane në Tiranë duke sqaruar se shqiptarët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil nuk do të përfitojnë nga kjo ndihmë.

Ambasada Gjermane në Tiranë
Sqarim: Asnjë asistencë e re financiare për azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar!
Ndryshe nga ç’raportojnë mediat shqiptare, azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare  apo asistencën financiare për kthim.

Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës: kërkesat për azil nga shtetasit/et shqiptarë/e - sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor - përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast. 

Azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri dhe mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që  mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre por kthehen forcërisht në Shqipëri.

dy.b/shqiptarja.com