Edhe 8 ditë kanë mbetur nga mbyllja e afatit që kanë të gjithë qytetarët për të dorëzuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave për vitin 2025.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se deri më tani e kanë dorëzuar DIVA 89 mijë e 199 individë, ndërkohë që pritshmëritë janë që kjo deklaratë duhet të plotësohet dhe dorëzohet nga rreth 200 mijë individë.
DIVA duhet të dorëzohet nga të gjithë ata individë që gjatë vitit që lamë pas kanë pasur pagë bruto 100 mijë lekë në muaj ose 1.2 milionë lekë në vit, të dypunësuarit si dhe personat që kanë të ardhura nga platformat online mbi 50 mijë lekë.
Risia e këtij viti është njohja e shpenzimit për fëmijën nën 18 vjeç, si dhe kompensimi për shpenzimet arsimore. Prindi me pagën më të lartë në familje mund të kërkojë një kompensim prej 48 mijë lekësh nga baza e tatueshme, për fëmijën minoren.
Të gjithë prindërit me pagë nga mbi 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë e që tatohen me 13%, do të marrin si kompensim vjetor nëse kanë një fëmijë, 6,240 lekë, nëse kanë 2 fëmijë 12,480 Lekë dhe nëse kanë 3 fëmijë 18,720 Lekë. Për të gjithë ata që marrin mbi 200 mijë lekë në muaj dhe që tatohen 23%, kompensimi për fëmijë do të jetë nga 11 mijë lekë deri në 33.1 mijë lekë.
Nga këto zbritje përjashtohen të gjithë ata qytetar që vjet kanë pasur pagë minimale, pasi s’kanë paguar tatim, dhe për pasojë nuk ka si të ketë rivlerësim të tatimit.
Gjithashtu prindi mund të zbresë deri në 100 mijë lekë nga baza e tatueshme, për shpenzimet arsimore nëse ka të ruajtura faturat e shpenzimeve.
Drejtoria e Tatimeve po ashtu u bën thirrje të gjithë individëve që të deklarojnë në DIVA të ardhurat e fituara nga Booking. Në njoftim thuhet se për periudhën janar-shtator 2025, 17 mijë individë e subjekte kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes platformës, me një xhiro totale prej 80.1 milionë euro.
Administrata Tatimore thotë se mosdeklarimi i të ardhurave përbën shkelje të legjislacionit tatimor dhe sjell penalitete sipas parashikimeve ligjore.
Komente











