Është e paimagjinueshme deri në ç’pikë ka mbërritur pafytyrësia në këtë profesionin tonë…”! Ka të drejtë Andi Bushati kur ka bërë këtë postim, që nuk e ka menduar për të sulmuar një politikan që stigmatizon dhe fyen një gazetare, por për të sulmuar një gazetare që i përgjigjet një politikani. Servilizmi i këtij ish pinjolli të bllokmenëve, që po kërkon “shpengim” nga adoleshenca e tij në luksin komunist duke i bërë furçe Sali Berishës dhe klanit të tij, është vërtet i pafytyrë.

Gjatë konferencës për shtyp të përditshme të zhvilluar sot, Sali Berisha ka sulmuar gazetarin Carlo Bollino, pasi ky kishte pushuar nga puna Ilir Babaramon për shkelje etike: në një transmetim live në televizionin Report tv ku punonte dhe ku merrte rrogën (në bankë, dhe jo cash siç bëhet te “Syri i doktorit”), Babaramo kishte trajtuar një koleg të pranishëm në studio si “papagall”, pasi sipas tij ai merrte urdhra politikë nga lart nëpërmjet kufjeve. Një shpifje e pastër, pa etikë, në shkelje të kontratës dhe të Kodit të Punës, dhe për këtë arsye televizioni e ka pezulluar.

Por Berishës nuk i intereson e vërteta dhe, duke u futur në një konflikt tërësisht të brendshëm të një televizioni pa njohur faktet, e ka shpallur gazetarin Carlo Bollinon ''super mafiozin numër 1 të mediave shqiptare'', pasi sipas alucinacioneve të tij, Bollino e kishte pushuar nga puna Babaramon, me urdhër të Edi Ramës, sepse ai kishte sulmuar qeverinë. Një tjetër shpifje.

Danjela Maloku, gazetarja e Report Tv që po ndiqte konferencën dhe ishte në dijeni të ngjarjes në televizionin e saj, pati kurajon t’i kundërvihej Berishës thjesht duke sqaruar me qetësi se në fakt Ilir Babaramo ishte larguar nga puna sepse kishte sulmuar televizionin dhe kolegun e tij, jo Edi Ramën. Pra, ajo, tha të vërtetën. Por për talibanizmin e Andi Bushatit, ky sqarim është i papranueshëm dhe pa asnjë interes; madje ai reagoi me një ashpërsi që as Sali Berisha nuk e ka përdorur. “Është e paimagjinueshme deri në ç’pikë ka mbërritur pafytyrësia në këtë profesionin tonë… të arrish të shesësh kolegun për t’u bërë leckë në emër të atij që të jep rrogën”, shkruan Bushati në një postim në Facebook, duke publikuar edhe foton e gazetares.

Danjela Maloku në fakt meriton një lavdërim publik, sepse falë saj në konferencat e Sali Berishës dëgjohet herë pas here një zë kundërshtues. Ndryshe nga konferencat e çdo politikani tjetër, në monologët e Sali Berishës dëgjohen (nga frika) vetëm pyetje-furçe dhe nuk dëgjohet kurrë asnjë pyetje sadopak kritike për një opozitë që po fundoset çdo ditë e më shumë në kurriz të popullit dhe në favor të qeverisë.

As Andi Bushati nuk është interesuar për të vërtetën. Ai, si zëdhënës i Saliut, ka sulmuar Danjelën, thjesht pse ajo ka sqaruar të vërtetën, por edhe për ta intimiduar, sepse kështu ''edukohen'' drejt heshtjes edhe gazetarë të tjerë. Në fakt, për Bushatin vlen pikërisht argumenti që ai përdori kundër Danjelës: “Është e paimagjinueshme deri në ç’pikë ka mbërritur pafytyrësia në këtë profesionin tonë… të arrish të shesësh kolegen për t’u bërë leckë në emër të atij që të jep rrogën!!!” FIKS PËR BUSHATIN!

Përballë dy modeleve të ndryshme të gazetarisë shqiptare, Bushati ka një standard tipik komunist: gazetarë serioz si Danjela, nuk kanë të drejtë as të flasin, ndërsa gazetarë militantë si Ambrozia mund të thonë çfarë të duan.

Për respekt ndaj profesionalizmit të Danjela Malokut, meriton të botohet replika që i ka bërë poshtë postimit të Bushatit, me një profesionalizëm dhe një edukatë shembullore:

''Nuk m’u desh shumë të informohesha mbi këtë status. Kolegët ma nisën në breshëri. Andi, unë nuk kam ndërmend të futem në vorbullën e betejës mes kolegësh, sidomos për hir të pronarëve apo edhe më keq, interesave politike. E kam treguar me kohë këtë dhe kjo është arsyeja pse respektohem nga të gjitha palët (përfshirë edhe kreun e PD që po, në këtë replikë më vlerësoi për profesionalizmin)  e në këto vite në media (edhe pse karrierë modeste) nuk gjen dot një lajm ku mund të kem shpikur apo gënjyer. Ajo që bëra, është që ndjeva detyrim të pohoj një anë tjetër të medaljes. Unë e kuptoj që mbase në botën e ‘gazetarisë së madhe’ është interesante të japësh leksione profesionalizmi, sidomos nga ata që më herët e kanë bërë vetë këtë gjë.

(Kujtoj një deklaratë tuajën “Spak ka gazetarë papagaj”), por kam zgjedhur që aty ku besoj se ka një të vërtetë, ta them. Ky mund të jetë virtyt, por edhe e metë, varet cilën anë të medaljes zgjidhni të shihni".

--------------------------

POST SCRIPTUM – Është e panevojshme të shtojmë se Syri i Berishës ka publikuar sulmin e Bushatit ndaj Danjelës, por ka censuruar reagimin e Danjelës. Kjo është gazetaria e “leshit” që konceptojnë Bushati, Çim Peka dhe diktatori në pension Sali Berisha.