Në 48 orët e fundit, prokuroria në Mitrovicë të Kosovës ka ndaluar 34 kryetarë të Qendrave Komunale të Numërimit, të dyshuar për falsifikim të rezultatit të votimit për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.

Lajmi është konfirmuar për mediat e Kosovës nga zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni, i cili tha se personat janë ndaluar pas intervistimit në stacionet e policisë.  Intervistimet ende nuk kanë përfunduar dhe hetimet po vazhdojnë, tha ai.

34 personat e arrestuar ishin kryetarë në qendrat e numërimit në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Raste të ngjashme janë shënuar edhe në Gjakovë dhe Prizren, ku disa persona janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim për dyshime për falsifikim të rezultateve zgjedhore dhe shkelje të së drejtës së votimit.