Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë takimit, kreu i shtetit e vlerësoi progres-raportin si dëshmi të avancimit të vendit në procesin e integrimit evropian dhe si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Në fokus të diskutimit ishte edhe vijimi i reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.
Begaj theksoi gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten elementë thelbësorë për përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit evropian.
Lajmi kryesor:
Progresraporti i KE, Rama: Moment historik, historia s’do na e falte një dështim! Ambasadorja e BE mesazh në shqip: Keni ecur para









