356 mijë banesa të pabanuara sipas Censit 2023, por 135 mijë familje jetojnë me qira! Eksperti: Kredia, mundësia e vetme e çifteve për të blerë shtëpi

Të paktën 25 vite i duhen një çifti të ri ose një familje me të ardhura mesatare për tu bërë pronarë të një shtëpie, në kushtet kur sot është e pamundur të blesh pa marrë kredi.

“Një familje të re sipas bankave ju duhen afro 25 vite, për të shlyer një kredi të marrë për shtëpi”, thotë eksperti i pasurive të paluajtshme Orgest Beti.

Dyndja e shqiptarëve në dyert e bankave për kredi për shtëpi, konfirmohet edhe nga shifrat e bankës qendrore. Vetëm në 5 muajit e parë të vitit, bankat kanë dhënë 22.8 miliardë lekë kredi për blerje banese me rritje 3.2 miliardë lekë krahasuar me vjet.

Sipas të dhënave të CENS-it, çiftet e reja kanë më shumë vështirësi për të pasur një banesë, pasi janë mbi 35 mijë persona ose 17.561 mijë me dy anëtar që jetojnë më qira.

“Ulja e lindshmërisë lidhet direkt me mos-pasjen e stabilitetit financiar, dhe pasja e një shtëpie në Shqipëri në njërën anë konsiderohet domosdoshmëri dhe nga ana tjetër është baza për të nisur një jetë të re”, pohon eksperti.

Nga kjo situatë sipas ekspertit mund të dilet, vetëm me një plan kombëtar me kredi të buta, për ata në nevojë dhe çiftet e reja.

“Unë jam edhe për ndërtime banesash nga vetë shteti, me çmim shumë herë më të lirë për shtresat në nevojë”, shprehet Beti.

Shifrat e CENS tregojnë edhe një situatë paradoksale. Teksa një në pesë familje në vend nuk ka shtëpi në pronësi (132,563 familje), por jeton me qira ose me marrëveshje tjetër banimi, janë më shumë se 356 mijë banesa janë bosh.

“Këtu një rol të rëndësishëm luan ikja, dhe braktisja masive e shqiptarëve, ndërtimet e reja, por po ashtu kemi edhe faktin që emigrantët shumica e kanë një shtëpi këtu. Shqipëria është një ekonomi informale dhe gjithçka është e pritshme në këtë realitet. Po them një shifër vetëm në 2022, janë dhënë për ndërtim 1.8 milionë metër katror për ndërtim që do reflektohet në vitet pasuese sepse janë apartamente që do hidhen në treg”, thotë Beti.

Por a po ndikon pastrimi i parave në këtë situatë, ku ndërtimet nuk kanë të ndalur, çmimet rriten ndërkohë që një e treta e banesave në vend është bosh?

“Nëse themi që nuk ekziston si fenomen nuk do të ishim të sinqertë me qytetarët. Ka një element që ndikojnë në këtë industri, por nuk mund të kriminalizojmë të gjithë industrinë e ndërtimit, për shkak të disa njerëzve që bëjnë këtë gjë (pastrimin e parave)”, tha ai.

Në një treg të rregullt, çmimet e pronave duhet të uleshin, në kushtet kur ka më shumë shtëpi bosh sesa familje pa banesë. (356 204 shtëpi të pabanuara dhe 132,563 familje pa shtëpi në pronësi)

“Mendoj që çmimet në Shqipëri nuk do të kenë trend ulës, por të arrijmë një stabilitet. Ulje nuk shikoj”, thotë eksperti.

Numri i familjeve pa shtëpi është rritur ndjeshëm në raport me CENS-in e 2011-ës, kur ishin 70,630 familje, pasi në CENS-in e fundit ishin mbi 135 mijë familje pa banesë në pronësi.

Në krahasim me vitin 2011, Shqipëria ka 10% më shumë banesa bosh, ndërkohë që i janë shtuar edhe 70 mijë shtëpi të reja. Në total në vend janë 1.082.529 banesa të zakonshme, nga të cilat 47% ishin shtëpi individuale, 39.9% ishin pallate dhe pjesa tjetër ishin janë banesa pjesërisht të veçuara dhe shtëpi në rend tarracor.

TOTALI I KREDISË PËR SHTËPI
Janar-Maj 2023      19,617 mln lekë
Janar-Maj 2024      22,886 mln lekë
Rritja                     +3,269 mln lekë
 

 

NUMRI I BANESAVE NË SHQIPËRI
Cens 2011                  1,012,400 banesa
Cens 2023                  1,082,529 banesa
Rritja                            +70,129 banesa

 

SHTËPI BOSH/ FAMILJE PA SHTËPI
Pa shtëpi                132,563 familje
Të pabanuara         356,204 shtëpi

 

NUMRI I FAMILJEVE PA BANESË
Cens 2011            70,630 familje
Cens 2023          132,563 familje
Rritja                 +61,933 familje

G.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve