Janë dosjet e 38 bandave kriminale të identifikuara, që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, që kanë ulur në tryezë zyrtarët e mësipërm, të cilët kanë gati planin e veprimit kundër krimit të organizuar, që përfshin ekspertët më të mirë në fushën e hetimit. Report Tv bën me dije nga burime se ministri Xhafaj ka njohur Markun dhe ministrat me 38 dosjet e krimit, si dhe ka kërkuar informacion nga SHISH dhe DPPP.
Report Tv mësoi se takimi mes Markut, Gjonajt, Ahmetajt, Bendos e Xhafajt zgjati rreth 45 minuta dhe në fokus të tij kanë qenë grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe pasuritë e tyre të pajustifikuara, të vëna në rrugë kriminale.
Operacioni 'Forca e Ligjit' synon të godasë grupet kriminale dhe sekuestrimin e pasurive të tyre, e cila kap shifra të mëdha. Ai pritet të vërë në pranga persona që kanë pasuri të pajustifikueshme dhe, siç raportoi një ditë më parë Report Tv, pritet të japë efektet e para në muajin shkurt të këtij viti.
Report Tv mësoi se janë identifikuar 38 grupe kriminale, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe më gjerë, të cilët pas nisjes së aksionit policor po përdorin mënyra të ndryshme për të fshehur pasuritë e tyre, si duke i legalizuar apo duke i kaluar ato në emrat e personave të tretë.
Ndërkohë, kjo është vizita e parë e Kryeprokurores Arta Marku me ministrin Xhafaj në Ministrinë e Brendshme, teksa në ditët e fundit të dhjetorit 2017 ishte Fatmir Xhafaj që zhvilloi një takim me Kryeprokuroren e re në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.
Zbardhet takimi:
Në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar sot mbledhja e Task Forcës Qendrore Ndërinstitucionale në kuadër të planit të veprimit kundër krimit të organizuar, operacionit – ‘Forca e Ligjit’. Në të morën pjesë Prokurori i Përgjithshshëm i Përkohshëm Arta Marku, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, Zv.drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror Helidon Bendo, Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i Policisë së Shtetit Rebani Jaupaj dhe Drejtori i SHÇBA-së Eduart Merkaj.
Ministri i Brendshëm njohu anëtarët e Task Forcës Qendrore Ndërintitucionale me ecurinë e procesit gjatë muajit dhjetor 2017, hartimin dhe miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, masat e marra për ngritjen e strukturave për të thithur në to ekspertizën më të mirë në fushën e hetimit policor, krijimin e mjediseve të përshtatshme të punës, krijimin e aksesit të nevojshem në data-bazë të Agjencive të ndryshme shtetërore, punën që po bëhet për mbledhjen e informacionit dhe analizën e profilit të grupeve kriminale, veprimtarisë dhe aseteve të tyre, si dhe për mbështetjen e kontributeve konkrete të partnerëve ndërkombëtarë të atashuar pranë këtyre strukturave.
Anëtarët e TFQN diskutuan mbi rolin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, koordinimin e procesit dhe garantimin e mbështetjes në vijim, për Task Forcën Speciale në nivel qendror dhe rajonal, si struktura të posaçme të ngarkuara me përgjegjësi operacionale. Ata u dakordësuan për mbështetjen që secili prej tyre do t’i japë këtij procesi përmes Agjensive respektive të zbatimit të ligjit, për përmirësimin e kuadrit normativ që lehtëson këtë bashkëveprim përfshi dhe marrëveshjet e protokollet e bashkëpunimit përkatës, në respekt e zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.
(Kryeprokurorja Arta Marku jashtë ambienteve të Ministrisë së Brendshme)
(Kreu i SHISH, Helidon Bendo, dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj pas takimit me Xhafajn)
d.c./shqiptarja.com