Kujdesi për pacientët me kancer pritet të ndryshojë në të gjithë vendin. Ministria e Shëndetësisë po përgatit zbatimin e 38 protokolleve kombëtare për trajtimin e tumoreve, me synimin që të njëjtat standarde mjekësore të aplikohen nga spitalet bashkiake deri në qendrat universitare.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë një vizite në spitalet e Librazhdit dhe Pogradecit. Sipas saj, protokollet janë hartuar në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve në Milano dhe do të përdoren në të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar.

“Ne po kalojmë nga një sistem që reagon ndaj sëmundjes, në një sistem që e parandalon atë. Kanceri nuk luftohet vetëm në sallat e operacionit apo në qendrat e kimioterapisë; ai luftohet në komunitet, në qendrat shëndetësore, në programet e vaksinimit, në depistimin e hershëm dhe në edukimin shëndetësor. Për këtë arsye, udhërrëfyesit e rinj vendosin në qendër parandalimin, depistimin dhe diagnostikimin e hershëm. Qëllimi ynë është që sëmundja të zbulohet sa më herët, kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të larta, dhe jo kur pacienti mbërrin me vonesë në sistem”, theksoi ministrja Sala.

Duke u ndalur tek risitë e reformës së re spitalore, ministrja Sala theksoi se po ndërtohet një sistem ku cilësia e kujdesit nuk do të varet nga qyteti ku jeton pacienti, por nga standardet e njëjta kombëtare që do të zbatohen në çdo spital të vendit.

“Një nga ndryshimet më të mëdha që po sjell reforma është krijimi i një rrjeti të integruar kombëtar për kujdesin onkologjik. Nga mjeku i familjes, te spitali i rrethit, te qendrat rajonale dhe QSUNT-ja, pacienti nuk do të mbetet më vetëm për të gjetur rrugën e trajtimit. Sistemi do të jetë ai që do ta udhëheqë pacientin, me referime elektronike, me protokolle të qarta dhe me koordinim të plotë ndërmjet strukturave shëndetësore”, nënvizoi ajo.

Ministrja Sala bëri me dije se Spitali i Librazhdit, i Pogradecit dhe të gjithë spitalet bashkiake dhe rajonale nuk do të jenë më thjesht hallka referimi drejt Tiranës. Ato do të jenë pjesë aktive e një rrjeti modern onkologjik, me rol të qartë në parandalim, depistim, diagnostikim, ndjekje dhe kujdes paliativ.

“Ne duam që qytetarët të marrin më shumë shërbime pranë vendbanimit të tyre, me të njëjtën siguri klinike dhe me të njëjtat standarde profesionale që aplikohen në qendrat më të avancuara europiane”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala.