Ngjarja ka ndodhur mesditën e të hënës, pak pas orës 12:00, në vendin e quajtur “Pekisht” pranë Puseve të Naftës. Burimet zyrtare bëjnë me dije se ka qenë shtetasi Rajan Qamil Tafani, 31 vjeç, banues në Belsh, i ka zënë pritë në një kthesë kryebashkiakut dhe i ka vënë pistoletën në ije, duke i thënë:
“Do të vras, nuk ke më jetë po nuk më dhe 300 mijë euro brenda një muaji. Më ke prishur lokalin buzë liqenit dhe kjo do paguhet me kokën tënde. Që të shpëtosh kokën do më paguash eurot dhe do më japësh një shesh ndërtimi te bashkia e re. Nuk të kam cenuar askund. Për çdo gjë kam zbatuar ligjin”.
Ndërkohë, shembja e ndërtimit të paligjshëm në Belsh është bërë në kuadër të rijetëzimit të sheshit kryesor të Belshit. Menjëherë pas kërcënimit, kryebashkiakut Arif Tafani ka bërë denoncim në polici, ndërsa Rajan Tafani eshte arrestuar.
Njoftimi i policisë për ngjarjen në Belsh
Më datë 31.10.2017, rreth orës 09:30, në Stacionin e Policisë Belsh është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi A.T, 49 vjeç, me detyrë Kryetar i Bashkisë Belsh, se më datë 30.10.2017, rreth orës 12:00 në aksin rrugor Belsh – Pajovë në vendin e quajtur “Fusha e bardhë” shtetasi R.T., 31 vjeç banues në Elbasan për shkak të detyrës e ka kanosur me armë duke i kërkuar 300.000 Euro dhe një pjesë toke ku është planifikuar të bëhet godina e re e Bashkisë Belsh.
Shtetasit R.T., në vitin 2016 në Belsh qendër i është prishur lokali i familjes se tij nga ana e Bashkisë, pasi ishte përfshirë në objektet që do prisheshin në zbatim të planit urbanistik të qytetit.
Policia menjëherë pas marrjes së kallzimit nga Kryetari i Bashkisë ka bërë kapjen dhe shoqërimin në Stacionin e Policisë Belsh të shtetasit R.T për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
Nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimit u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet do të referohen pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale të “Kanosjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal.
d.c./shqiptarja.com





