''Vettingu'' mblidhet sot Kuvendi 
në një seancë të jashtëzakonshme

''Vettingu'' mblidhet sot Kuvendi <br />në një seancë të jashtëzakonshme
Pas votës historike të 22 Korrikut, Kuvendi i Shqipërisë është sot para një tjetër prove, tashmë për nisur zbatimin e Kushtetutës së re, duke votuar një prej ligjeve më të rëndësishme, siç është ai i Vettingut.

Parlamenti do të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme, për projektligjin e Vetingut, i cili synon pastrimin e sistemit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët me pasuri të paligjshme, me lidhje me krimin dhe ta paaftë profesionalisht. Por, ndryshe nga 22 Korriku, ku palët gjetën dakordësinë pas negociatash dramatike, konsensusi për Vettingun duket se është pothuajse i pamundur për dy arsye.

Së pasi, opozita dhe ndërkombëtarët, të cilët mbështeten nga mazhoranca, ndahen në çështje vendimtare dhe përcaktuese për fatin e njerëzve të drejtësisë. Nëse drafti i parë me amendamente i PD ishte i natyrës teknike, drafti i dytë parashikon një Vetting të ri, ndryshe nga ai i projektuar nga EURALIUS dhe OPDAT.

Së dyti, koha në dispozicion të palëve për të hartuar një draft konsensual është e pamjaftueshme, për shkak se seanca është planifikuar të nisë pasditen e sotme. Në këto kushte, palët duket se po shkojnë drejt matjes së forcave në sallën e Kuvendit.

Janë të gjitha mundësitë që mazhoranca, pra PS-LSI-PDIU, të miratojë e vetme draftin e Vettingut sipas variantit të ndërkombëtarëve. Gjasat janë që të ketë rrjedhje votash nga të dy krahët, por deri më tani asnjë deputet nuk ka deklaruar votën kundër linjës së grupit të tij parlamentar.

Ndërkaq, nëse Vettingu miratohet vetëm me votat e shumicës, opozita ka paralajmëruar një betejë ligjore, për rrëzimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Dhe fati i ligji mund të jetë në pikëpyetje, duke pasur parasysh influencat e Sali Berishës dhe Presidentit Nishani mbi gjykatat.

Në këtë seancë maratonë për projektligjin e Vetingut, deputetët që do të diskutojnë për këtë ligj të kundërshtuar nga PD, duket se do të jenë të shumtë. Vetëm nga Partia Socialiste kanë regjistruar emrin për të folur mbi këtë çështje 20 deputetë.

Ndërsa burime nga PD konfirmuan se numri i diskutantëve do të përcaktohet në mbledhjen e grupit parlamentar, që do të mbahet paraditen e sotme. Po ashtu, për të përcaktuar direktivat dhe qëndrimin që do të mbajë mazhoranca ndaj amendamenteve të Partisë Demokratike për ligjin, kryeministri Rama do të mbledhë sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Ndërsa seanca e jashtëzakonshme plenare për ligjin e Vetingut do të nisë rreth orës 17:00, por burime nga të dy forcat konfirmojnë se ajo mund të zgjasë përtej mesnatës.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

PD nxjerr karriget në oborrin e Kuvendit, i vënë flakën

PD nxjerr karriget në oborrin e Kuvendit, i vënë flakën