TIRANË - Kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka qenë i ftuar sot në "A1 Report" në emisionin "5 pyetjen nga Babaramo". Ai ka analizuar arsyet e protestës së sotshme për "vjedhjen e votave" në Korçë, mundësinë për sjelljen e armëve kimike, ndryshimet në administratë, raportet me Berishën etj.

NË KORÇË E DINIM QË DO HUMBNIM DHE HUMBËM, POR S'LEJOJMË BLERJEN E VOTËS
Pyetjes së Babaramos, se edhe PD ka paguar bileta avionësh, Paloka u përgjigj se këto janë fantazi, ndërkohë që jemi përballë një fakti që u dha me zë dhe figurë. 'Po kthehemi si 20 vjet më parë, kur u ngritëm për votën".

"Nuk ka asnjë krahasim kjo që ka ndodhur, me pagesa në dorë, se si socialistët po përpiqen ta fshehin këtë fakt, do t'i shohim më vonë pasojat".

Paloka ka kritikuar "vjedhjen e votës", por ka pohuar se "ne i kemi humbur zgjedhjet edhe në Korçë dhe në 23 qershor. Nuk hedh poshtë një sërë faktorësh të tjerë që ndikuan te humbjet. Unë kam renditur dhe faktorë të tjerë dhe gabimet e PD. Në Korçë humbëm, mbase do humbnim. E kam konsideruar betejë që ishte herët për të hyrë, se situate s’ishte në favorin tonë, me njerëz që rrinin në shtëpi apo s’donin të votonin për arsyet e tyre. Qeveria qëndroi dy ditë në Korçë. Fitorja jonë ishte pak e mundur, të jemi realistë, por pse instalon qeverinë, bllokon rrugët, ndalohen qytetarët të kalojnë", tha Paloka. Ai ka shtuar se "në Korçë votuan 18% e votuesve këtë herë".

TË NXIRRET LIGJ PËR LOJËRAT E FATIT, POR JO TË SHKALLMOHEN DYERT
Sipas Palokës, njerëzit edhe druhen të dalin në zgjedhje, sepse "një qeveri që e ka filluar që në muajt e parë me shkatërrim biznesesh dhe jo gjithë qytetarët janë të përgatitur me terror të tillë, pasi ky që kur ka ardhur s’ka lënë ligj pa shkelur". Paloka ka rënë dakord, që të nxirren jashtë ligjit gjithë lojërat e fatit. Mos ketë asnjë. Meqë ky është kaq i përmalluar dhe i vjen keq për familjet shqiptare që lënë lekët në to. Ka vende që s’i lejojnë fare. Por jo me policë që shkallmojnë. Mos shohim asnjë në çdo cep të Tiranës me ligj. "Që kur ka ardhur tritol, shkallime dyersh. Vetëm ligjshmëri nuk ka".

ADMINISTRATA KA DHE MILITANTË, POR PJESA MË E MADHE SHKOLLUAR NË BE
Në lidhje me administratën, Paloka tha se "ka dhe militantë, nuk e mohoj, por pjesa më e madhe të instruktuar, trajnuar në vende të BE-së. Ndonjë mund të jetë me PD, voton PD apo propagandues i PD, por janë me këto kushte, nuk janë nga ata injorantët pa shkolla. Janë hequr njerëz që janë trajnuar nga BE. Edhe në polici ashtu, por vihen nga ata që nuk plotësojnë kushtet. Mund ta ndryshonte ligjin e policisë dhe vinte këtë të donte. Por vuri një drejtor që s’plotëson asnjë nga kriteret". Sipas Palokës "ose e bën me qëllim që bëj ç’të dua dhe s’pyes dhe ndoshta arroganca e tij ka arritur aty saqë meqë kam marrë votën thotë nuk pyes as për ligj, as për Kushtetutë. Ndryshoje ligjin, nëse do, edhe pse janë ligje të bëra nga BE. Si i hedh shtëpinë në tokë dikujt që e ka me leje?", pa bërë pyetjen retorike Paloka.

PËR PALLATIN E BASHËS NË BURG KUSH SHKELI LIGJIN, POR S'KANË FAJ BANORËT
Babaramo ka pyetur se ç’rast është hedhur në tokë, dhe Paloka ka kujtuar “pallatin e Bashës’ në Vlorë. “Nëse është shkleur ligji kryetari i bashkisë, fute në burg, ç’faj kam unë si qytetar që e kam blerë me ligj?! Një pjesë ka lënë paratë e jetës atje".

SI QYTETAR, S'DUA ARMË KIMIKE, KAM FËMIJË DHE UNË, SI PARTI DUAM TRANSPARENCË
Krahasuar me armët kimike për t'u demontuar në Shqipëri, Paloka ka theksuar se "bomba më e vërtetë është vota e lirë". Më tej ai ka deklaruar se po kërkojmë prej kohësh që qeveria të bëjë transparencë. "Nuk mund të mbajmë qëndrim kur s’dimë çfarë po ndodh. Skandali është te mungesa e transparencës së qeverisë. Nuk na është thënë asnjë fjalë. Nuk kemi asnjë informacion. Nuk mund të marrim një pozicion për diçka që nuk e dimë. Dimë ç’thuhet në media. S’mund të pozicionohemi pa ditur realisht".
Paloka ka kujtuar se PD është forca që e ka futur Shqipërinë në NATO dhe 'jemi për të respektuar partneritetin, por jemi dhe qytetarë, kemi fëmijë, sensibilitetet janë njësoj si të qytetarëve të  tjerë, s'ka asnjë nga ne që nuk do fëmijët e tij dhe mos jetë sensibël". "S’del asnjë ministër të thotë që pritet të bëhet një marrëveshje për këtë apo për atë, edhe mund të jetë bërë e s’dimë gjë. Si qytetar do doja që asnjë armë kimike mos kalonte në Shqipëri, por pa informacion si parti e përgjegjshme s’mund të mbajmë pozicion. Mungesa e transparencës, është politikë e qeverisë. Projekt-vendimet vijnë në momentin e fundit. Ua plasin deputetëve: votoje".

PSE "CROW AGENTS"  U MOR ME URGJENCË?
"Pse u mor me kaq urgjencë kompania ‘Crow Agents” duke thënë se gjendja në dogana është alarmante? Ndërkohë që na thanë se realizuan planin 106%. Dmth s’qenka aq keq, por më mirë se sa ka qenë. Do i kenë ikur afatat e pagimit ndonjërit. Në Kazakistan ku Tony Blair është këshilltar të drejtat e njeriut kanë qenë më keq. As unë asnjë në PD nuk ka veçse respekt për Tony Blair si kryeministër, për rolin e tij në luftën e Kosovës. Por ndryshuan pozicionet. Nëse na e vë me çmim mirënjohjen për luftën dhe atë mund ta bëjmë. Por të thuhet që paguhet për këshillat. Por s’ka transparencë", thotë Paloka.

KRYESIA E PD, ME DORËHEQJE PA DORËHEQJE JEMI JASHTË FUNKSIONEVE TONA
Mbi ikjet e deputetëve, Paloka ka thënë se deputetët e PD nuk kanë ikur dhe se numrat në parlament janë të parëndësishëm, se nuk kemi numra, të jemi realistë. Pyetjes së gazetarit Babaramo, a keni frymë, kohezion se shtypi shkruan se kanë filluar mosmarrëveshjet", Paloka iu përgjigj: "Nëse do mendonim se brenda grupit s’ka diskutime s’do kishim demokraci. Se si bëhet opozita, si duhet reaguar mund të ketë mendime të ndryshme. Lidershipi ka dhënë dorëheqjen vetë. Berisha mori përgjegjësitë e tij dhe ca të tjerëve dhe dha dorëheqjen. Që kur dha dorëheqjen Berisha, mund të largohen nga kryesia Bode, Topalli, se e kanë shprehur. Ne gjithë të tjerët më dëshirë pa dëshirë me dorëheqjen pa dorëheqje jemi jashtë funksioneve tona".

RAMA ÇDO MOMENT BËN AKT SKANDALOZ, TË DETYRUAR TË REAGOJMË
"Rama doli përtej parashikimeve tona pesimiste. Çdo moment bën akt skandaloz, kemi qenë të detyruar të jemi të gatshëm të reagojmë. Me njerëzit sot pashë se ka filluar të ziejë, nuk janë ende të topitur nga humbja e qershorit. Na duhet që njerëzit t’i afrojmë". 

BASHA PARAPËLQEN STAF ME KOMBINIMIN: TË VJETËR ME TË RINJ
"Përveç strukturave Basha duhet të jetë me njerëzit e tij dhe duhet të ketë një staf të tij. A do jenë të gjithë të rinj, këtë e vendosin anëtarët e PD. Basha është për kombinim të të vjetërve me të rinjtë. A do prevalojnë të rinjtë? Do t’i afrojmë të gjithë. Nuk do kemi luksin të largojmë asnjë. Askush nuk ka lindur për të pasur vetëm pozicione drejtuese".

KUR KEMI NEVOJË I KËRKOJMË KËSHILLË BERISHËS, ËSHTË VLERË TA KEMI
Konslutoheni me zotin Berisha?, ishte pyetja e Babaramos, duke nënkuptuar edhe Bashën. "Absolutisht që Berisha është figura kryesore e PD. Aktualisht është fat që e kemi aty. Ka një të vërtetë, që Berisha shpesh në pozicione të vështira jepte zgjidhjen, kur ne nuk arrinim. Është vlerë për ne që ta kemi si këshilltar dhe pranë. Protestën e sotme e mbështeti, por s'dha ide, se ka qenë pa qejf këto ditë, me virozë. Nuk kemi komunikuar shumë gjatë këtyre ditëve. Kur kemi nevojë ia kërkojmë këshillën dhe do ia kërkojmë sa herë të jetë", shpjegoi Paloka.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)