Këtë qëndrim ka mbajtur Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri sot lidhur me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë që do të mbahet së shpejti nga Presidenti me kërkesë të kryeparlamentarit Ilir Meta.
Deklarata e Tahirit u bë sot gjatë analizës së Policisë së Shtetit të zhvilluar në Berat.
Ministri nuk e ka kaluar pa reagim, përgjigjen zyrtare që Presidenti Nishani i dha sot kërkesës së kryeparlamentarit Meta për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të shumëkërkuarin Klement Balili.
Ministri mbi të gjitha shprehet i çuditur me këtë përgjigje të Nishanit, ndërsa nuk kursen ironinë.
“Ne jemi shumë të bindur që beteja jonë më e madhe është të reagojmë që në Shqipëri – sot, nesër e në vazhdim – të mos ketë të paprekshëm dhe qytetarët të jenë të gjithë të barabartë para ligjit. Dhe pikërisht për shkak të këtij, ose më saktë shfaqet në vendin tonë, kemi ndërmarrë aksione, bashkë me partnerët, të cilat kanë dhënë rezultate të shkëlqyera.
Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as per Lazaratin.
Po çuditet publiku pasi Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as kur Lazarati ishte aty”.
Por më tej, Tahiri shton se do e informonte me kënaqësi ‘Presidentin e painformuar’ mbi çdo përpjekje të Policisë së Shtetit për kapjen e Balilit.
“Megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës, i cili për arsyet e veta është i pa informuar. Por jam akoma më i bindur që asnjë pengesë, asnjë insinuat, politike ose jo nuk do më ndalonte kurrë mua dhe aq më pak policinë e Shtetit të bënte detyrën ndaj atyre që deri dje ishin të pandëshkueshëm dhe atyre që deri dje ishin të pabarabartë dhe që nuk i prekte njeri”.
Ministri i Brendshëm thekson se Balili e çdo person i ngjashëm në preçedentët penalë si Balili i ka ditët e numëruara.
“E Balil e Balila mund ti kenë ende ditët e numëruara por shumë shpejt do të jenë përpara drejtësisë. Kjo është detyra jonë dhe ky është vullneti ynë për të garantuar që qytetarët shqiptar të mos kenë më nëpër këmbë të pandëshkueshëm”.
Pas deklaratës së Tahirit, reagoi nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili i cili i është përgjigjur ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në lidhje me deklaratat për mbledhjen e Këshillit të Sigursë Kombëtare.
Sipas Vasilit, angazhimi i institucioneve për kapjen e Kelmend Balilit ishte një kërkesë nga zyrtarët e lartë amerikanë gjatë vizitës së tij në SHBA.
Dy ditë më parë, Ilir Meta teksa i shkroi Presidentit Nishani i vuri në dukje se, ‘Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare”.