Për garantimin e sigurisë së kryeministrit serb gjatë vizitës në Tiranë do të angazhohen mbi 1300 forca policie. Gjithsej vetëm në Tiranë do të angazhohen në terren 1090 punonjës policie, ndërsa në territorin e Qarkut Durrës do të angazhohen 220 punonjës policie.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Altin Qato në një deklaratë për mediet tha se, Drejtoria e Policisë së Shtetit, me strukturat në vartësi të saj, ka marrë një sërë masash për të garantuar rendin publik, sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve që do zhvillohen me rastin e vizitës së Aleksandër Vuçiç.

Në këtë kuadër, do të angazhohen, Strukturat Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtorisë së Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, tha Qato.