Nga Spitali Memorial i Fierit, avokati Plarent Ndreca ka pohuar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nevojë për ndërhyrje urgjente pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore nga një mjek turk.

“Këmba nuk është pastruar dhe si rrjedhojë nuk është ngjitur dhe kërkohet ndërhyrje urgjente. Kam ardhur për të marrë dokumentacionin që të konsultohem me mjekët specialistë në Tiranë, por nuk po mundem ta siguroj. Situata është urgjente, i kam çuar email edhe Drejtorisë së Burgjeve dhe drejtorit të IEVP Fier”, ka thënë Ndreca, teksa ka theksuar se kjo është një situatë skandaloze për shkak të neglizhencës së institucioneve, çka ka sjellë përkeqësimin e situatës së këmbës.

“Kjo situatë nuk duhet të shkonte deri këtu. Çdo i paraburgosur ka të drejta bazike dhe të garantuara nga Kushtetuta dhe nga ligji, dhe ka të drejtë të trajtohet nga pikëpamja mjekësore menjëherë sapo ta kërkojë”, ka theksuar avokati.

Lidhur me shëndetin e kryetarit të Tiranës, Ndreca shprehet së në këmbë ka një problematikë me ndjeshmërinë që mund të krijojë pasoja nëse nuk trajtohet me urgjencë.

“Është e rrezikshme për rikuperimin dhe pasojat në vijim të ecjes së Veliajt, ka një problematikë me ndjeshmërinë e këmbës dhe për rrjedhojë duhet të shihet menjëherë nga specialistët që mos të ketë pasoja të tjera të parikuperueshme”, tha Ndreca.


Lajmi kryesor:

I vonuan ekzaminimet në burg! Kryebashkiaku Veliaj: Gjendja e këmbës së thyer është përkeqësuar, do bëj operacion