"UNESCO nuk aprovon projekte në sitet arkeologjike në të gjithë botën. Nëse UNESCO ka pyetje bën, nëse nuk ka pyetje s’bën. Komunikuam drejtpërdrejt me zyrën e UNESCO në Paris. Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO-s për çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me email në anglisht pas publikimit të debatit", tha Kumbaro.
Vokshi-Kumbaros: Ndërprit punimet
Drejtuesja e komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi i kërkoi Kumbaros të ndërpresë menjëherë punimet në Parkun e Butrintit pasi sipas saj po shkatërrohet një nga vlerat më të çmuara historike dhe kulturore të vendit. Vokshi tha gjithashtu se Kumbaro nuk i ka vënë në dispozicion komisionit të Medias komunikimin e Ministrisë së Kulturës me UNECSCO-n për lejimin e punimeve në brendësi të Parkut.
Ndërkohë, kundër Kumbaros për atë që po ndodh në Butrint, është rreshtuar edhe deputeti i PS në Sarandë, Alket Hyseni si dhe ai i Vlorës, Fate Velaj, njëherazi ish-këshilltar i Ramës për Kulturën. Hyseni tha se ka një shqetësim real dhe të drejtë të qytetarëve për ndërtimin brenda parkut të Butrintit. "Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve", tha Hyseni. Ndërsa Velaj ngriti shqetësimin e çmimit të shtrenjtë të biletave për turistët e huaj që vizitojë sitet arkeologjike.
Debate në komision pati edhe për pengimin e gazetarit të Report Tv që të futej në Parkun e Butrintit. Kumbaro tha se për filmimin e pasurive kulturore duhet leje, ndërsa Vokshi i kujtoi ministres se gazetari nuk ka pasur kamera me vete. Ajo i kërkoi ministres t’i kërkojë ndjesë publike gazetarit dhe Report Tv për censurën e ushtruar dhe shkeljen e ligjit për të drejtën e informimit. "Nuk lejuat gazetarin e Report Tv të futej në parkun e Butrintit. Kjo është censurë dhe shkelje e të drejtës për informim. Gazetari nuk ka pasur kamera. Sot ju duhet t’i kërkonit ndjesë gazetarit dhe medias", iu drejtua Vokshi, Kumbaros. Edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se Kumbaro nuk pengoi një gazetar, por një turist duke i mohuar të drejtën për të parë atë që po ndodh brenda qytetit antik.
Raportimi i Kumbaros te Media
Albana Vokshi: Kumbaro s’na ka sjellë komunikimin me UNESCO-n. Ndërprisni tani punimet dhe vijojmë dëgjesën për atë që po ndodh në Butrint.
Luçiano Boçi: Ndërprisni menjëherë punimet dhe seancën dëgjimore e zhvillojmë edhe në një mbledhje tjetër, kur ju të jeni gati.
Alket Hyseni: Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve.
Vokshi-Kumaros: Nuk lejuat gazetarin e Report Tv të futej në parkun e Butrintit. Kjo është censurë dhe shkelje e të drejtës për informim. Është një rast i paprecedentë.
Mirela Kumbaro: Ka pasur një incident me gazetarin e Report Tv. Për filmimin dhe fotografimin e pasurive kulturore kudo që ato ndodhen, ka një ligj që detyron marrjen e lejes nga autoriteti që e administron. Ne kemi dhënë pafund leje nga BBC, CNN e deri te më të vegjlit.
Albana Vokshi: Gazetari nuk ka pasur kamera. Sot ju duhet t’i kërkonit ndjesë gazetarit dhe medias. Kush është ai personi që me urdhër nga lart pegon një qytetar të hyjë në parkun kombëtar?
Luçiano Boçi: Thatë që objekti për të cilin ne debatojmë është një ngrehinë, jo objekt i trashëgimisë kulturore. Për objektet e arkeologjisë nuk më lejohet as ta publikoj dhe as ta fotografoj, por ama nëse unë fotografoj atë rrënojën, atëherë unë s'kam ndalesë ligjore, s'kam shkelur ligjin dhe jam në rregull. Ai s'ka hyrë si gazetar, por si turist. Dhe ju e keni penguar.
Albana Vokshi: Ky është rast i paprecedentë. Unë mendova se sot ju do vinit dhe do kërkonit ndjesë...
Fidel Ylli: Problemi është i ndjeshëm edhe për ne. Nëse ka shkelur ligjin nuk ka ku shkon as ministri e askush. Nëse ligji është shkelur unë do jem në krahun e asaj pjese që është për informimin publik.
Kumbaro: Nuk është shkelur ligji për Monumentet e Kulturës. Kemi autorizuar ndërtimin e një pike pushimi për turistët për të shmangur qëndrimet vend e pa vend.
Vokshi: Çfarë përmban kjo pikë pushimi?
Kumbaro: Bëhet fjalë për një objekt ekzistues me 56m2 i cili është ndërtuar në vitin ‘75 që ka shërbyer si depo ku vendoseshin hartat për gjetjet arkeologjike. Ishte më shumë një vend pisllëku, rraqesh të papërdorura. Kjo ndërtesë ka qenë e shmangur nga itinerari dhe nuk shihej nga turistët, ka qenë e pavizituar. Kjo ishte pika ku sosej durimi i vizitorëve dhe uleshin mbi gurë. Në kontekstin kur ne kemi pasur kërkesa nga operatorë qoftë të zonës, për të ofruar shërbime që kërkoheshin nga turistët, që nga shitësit ambulatorë e deri te propozime për të ndërtuar kafeteri, restorante brenda apo jashtë territorit. Këto janë cilësuar të papranueshme nga Këshilli i Restaurimeve dhe Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Ministri.
Vokshi-Kumbaros: Janë 400m2 që do betonizohen me llaç dhe tulla. A e ka miratuar UNESCO këtë? A jeni konsultuar me UNESCO-n?
Kumbaro: Betoni është hedhur për të mbajtur strukturën e xhamit.
Vokshi: A e keni marrë lejen nga UNESCO?
Kumbaro: UNESCO nuk aprovon projekte në sitet arkeologjike në të gjithë botën. Nëse UNESCO ka pyetje, bën, nëse nuk ka pyetje, s’bën. Komunikuam drejtpërdrejt me zyrën e UNESCO-s në Paris. Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO-s për çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me email në anglisht pas publikimit të debatit.
Fate Velaj: Parku arkeologjik i Butrintit sot ka probleme. Ka probleme me menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit, pasi turistët e huaj paguajnë më shtrenjtë se ata vendas.
Mirela Kumbaro: Çmimi i biletave? është një vendim i ministrit në 2009. Qeraja është e përcaktuar nga VKM-ja, unë nuk e kam këtë shifër, por do ua dërgoj.
Luçiano Boçi: Sa kushton ky projekt në Butrint?
Kumbaro: 3.6 milionë lekë dhe 4.6 milion lekë mobilimi, nuk e kujtoj vlerën e qerasë.
Luçiano Boçi: Zgjedhja e kompanisë është bërë në konflikt interesi?
Mirela Kumbaro: Nuk di të jap përgjigje për këtë. Kjo gjë është bërë nga ekspertët dhe janë ata që duhen pyetur.
Kritik ndaj ministres Kumbaro, ka qenë edhe deputeti i Partisë Socialiste, Fate Velaj. Velaj ka qenë një nga bashkëpunërtorët më të afërt të Kryeminsitrit Edi Rama si ish-këshilltar për kulturën. Ai i ka thënë ministres se ka probleme me menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit, pasi turistët e huaj paguajnë më shtrenjtë se ata vendas.
Burime: Policia pezulloi punimet në Butrint, urdhri u injorua
Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se policia ka pezulluar punimet brenda parkut të Butrintit në datën 2 tetor. I njëjti burim bën të ditur se edhe pse ka pasur një urdhër pas ngritjes së shqetësimit publik, sërish punimet kanë vijuar dhe pezullimi i vendosur nga policia është injoruar. Nuk dihet ende se cili autoritet i Ministrisë së Kulturës apo Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore shpërfilli urdhrin e policisë dhe lejoi të vijohej masakra në pasurinë kulturore më të çmuar të shqiptarëve, Parkun e Butrintit i cili daton që në shekullin e VII-V përpara Krishtit. Punimet në parkun e Butrintit vijojnw edhe sot e kwsaj dite.
Skandali në Parkun arkeologjik të Butrintit
Shqiptarja.com dhe Report Tv sollën një ditë më parë përgjigjen e drejtoreshës së Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, e cila tha se Ministria e Kulturës nuk është konsultuar këtë ndërtim, madje e kishte marrë vesh në fund të javës së kaluar. Por, para kësaj deklarate, Ministrja Mirela Kumbaro pretendoi se ishte konsultuar për gjithçka me UNESCO. Ndërkohë ditën e djeshme administrata e Parkut Arkeologjik e ka ndaluar gazetarin, edhe si vizitor për të prerë biletë të rregullt, ndonëse ai ka kërkuar të paguajë.
Shitësi i biletave i ka thënë gazetarit të Report Tv se ka urdhër për të mos e lejuar atë të hyjë në ambientet e parkut, ku po kryhen ndërtimet. Pas kësaj, gazetari është nxjerrë jashtë rrethimit nga roja i parkut.
Raporti i UNESCO - s
(Projekti për reabilitimin e ndërtimeve në Parkun e Butrintit)

VIDEO








