'CEZ', Berisha sajon debat me
Ballën për të shmangur dëshminë

'CEZ', Berisha sajon debat me<br />Ballën për të shmangur dëshminë
Ish-kryeministri Sali Berisha shmangu shoqërimin me forcë nga policia në komisionin hetimor për çështjen e CEZ-it, pasi u paraqit për disa minuta në mbledhjen e sotme, ku kërkoi dorëheqjen e kryetarit Taulant Balla, me pretendimin se ka konflikt interesi.

Pasi lëshoi një sërë akuzash ndaj kryetarit të komisionit, ish-kryeministri Berisha nuk pranoi të dëshmonte për çështjen e CEZ-it dhe u largua nga mbledhja, duke kërkuar që zyra juridike e Kuvendit të bëjë interpretimin për konfliktin e interesit, pasi sipas tij, Taulant Balla është i dënuar për shpifje, në një proces gjyqësor me familjarët e tij.

Kryetari i komisionit tha se pretendimet e Berishës kanë si qëllim shmangien e dëshmisë së tij, pasi sipas Ballës ish-kryeministri "nuk ka këllqe të dëshmojë për çështjen që po hetohet nga komisioni parlamentar".

Teksa Berisha largohej, Balla e paralamëroi sërish se do ta risjellë në komision me forcat e policisë.  

Socialisti Balla tha se nëse PD-ja do kishte pikëpyetje për konflikt interesi, kërkesën duhet ta kishte depozituar një ditë më parë.
 
E di që ke frikë të vish në këtë komision hetimor, por më dëgjo. Kërkesa nuk është depozituar ende nga nënkryetari i këtij komisioni, Arben Ristani”, tha Balla. 

Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë për herë të parë në një komision parlamentar.

Berisha refuzoi tre herë kërkesën për të dëshmuar përpara komisionit hetimor për CEZ-in. Ai pranoi të marrë pjesë në këtë mbledhje pas parlaajmërimeve të deputetit socialist, Taulant Balla se do t'i kërkojë policisë shoqërimin e Berishës në komision. 

Debatet Berisha-Balla
 

Ristani-Ballës: Je në konflikt interesi, dorëhiqu.
 
Taulant Balla: S’kam asnjë konflikt interesi.
 
Sali Berisha: Je një horr i klasit të parë. Je një përdhunues ordiner, por këtu kam ardhur në respekt të parlamentit. Zbato rregulloren e Kuvendit e jep dorëheqjen.
 
Taulant Balla: Zoti dëshmitar, betohu që dëshmosh të vërtetën. Betohu!
 
Sali Berisha: Ky është teatër.
 
Taulant Balla: Ende nuk jeni në kushtet për të marrë fjalën. Dëshmitari në radhë të parë duhet të bëjë betimin. Bëni betimin dhe menjëherë do t’ju jap fjalën që të flisni.
 
Sali Berisha: Zbato rregulloren.
 
Taulant Balla: Ke bërë ç’ke bërë në sallën e Kuvendit, këtu nuk e merr fjalën. Ky kom hetimor do jetë një histori suksesi për komisionet e tjera parlamentare.Teatrin në këtë komision hetimor nuk e bën dot askush. ky është një teatër nga frika që ka për të deponuar për çështjet për të cilat është dëshmitar. 
 
Ridvan Bode: Ne po ndjekim me shumë vëmendje gjithë procedurën e këtij komisioni. Ju jeni në konflikt me dëshmitarin. Ju mund t'ia lini të drejtën e vijimit të pyetjeve duke ja lënë pyetjet sekretarit ose një anëtari tjetër të maxhorancës për të vazhduar pyetjet ndaj dëshmitarit. Do tu lutesha që me atë përulësi që vijmë ne, edhe ju ti nënshtroheni rregullave procedurale.

Balla: Ju dhe zoti Shehu jeni persona nën hetim. Sa kohë që nuk është vërtetuar fajësi atëherë çështjet konflikt interesi zerohen.

Berisha: Zyra juridike e parlamentit, shërbimet të bëjnë interpretimin.

Balla: Rregullat në komisionin që drejtoj unë nuk i bën dot ti.

Berisha: Nuk do reagoja kështu unë nëse ti nuk do mashtroje shqiptarët, se nuk jam i dënuar. Ai është i dënuar, i pafytyrë dhe i dënuar. Zbato rregulloren. mashtrove qytetarët, je i dënuar me vendim të formës së prerë.

Balla: Mos u mundo të bllokosh punën e këtij komisioni hetimor. Unë e di që kishe frikë të vije në këtë komision, erdhe, ulu tani shumë mirë. Fjalën në këtë komision e jep kryetari.

Berisha: I cili është një mashtrues.

Balla: Je i vetmi njeri në këtë botë që nuk më provokon fare.

(Berisha largohet nga Komisioni)

Balla: I bëj thirrje sekretarit të komisionit, që dëshmitari të risillet me forcë në punimet e këtij komisioni.

Ristani: Jeni në konflikt interesi, nuk ja vlen të gënjesh.

Balla: Ai që erdhi nuk ka këllqe të dëshmojë.




Balla: Berisha pa ne korridor sekserin e tij dhe iku
Në përfundim të mbledhjes, kryetari i komisionit hetimor për çështjen e CEZ-it, Taulant Balla zbuloi arsyen përse sipas tij, ish-kryeministri Berisha paraqiti arsyetime të paqena dhe u largua nga komisioni.

Sipas Ballës, Berisha pa në korridoret e parlamentit personin që ka shërbyer si sekser me të, i cili gjithashtu ishte thirrur për të dëshmuar në komision.

"Dëshmitari Berisha pasi ka parë në ambientet e korridorit të parlamentit këtë dëshmitar u mundua të paraqiste arsyetime të paqena lidhur me drejtimin e komisionit. Eshtë qesharake të thuash që kam konflikt interesi me Berishën. Kam ndonjë lidhje farefisnore unë me atë? Komisioni është instrument hetimi parlamentar. Po të kisha qene unë gjyqtari dhe po të ishte Berisha i pandehuri besoj e dini çfarë dënimi do të jepja"- deklaroi Balla. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në Turqi, 21 të plagosur, mijëra të evakuuar

Zjarret në Turqi, 21 të plagosur, mijëra të evakuuar