Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk ka vetëm pak ditë që u rizgjodh në këtë detyrë, por ajo që u vu re gjatë përzgjedhjes ishte fakti se vendi i tij lindjes Polonia kundërshtoi fort rikandidimin e tij.

Dhe ‘hakmarrja’ nuk vonon, prokuroria e Varshavës ka thirrur Tusk në rolin e dëshmitarit sa i përket çështjes së vdekjes së presidentit Lech Kaczynski në vitin 2010, i cili humbi jetën në një aksident ajror.

Lideri i partisë nacional-populiste Jaroslaw Kaczynski ka akuzuar Tusk për vrasjen e vëllait të tij binjak.

Sipas tij Tusk në atë kohë ka lënë pas dore sigurinë, duke ia lënë këtë të fundit rusëve dhe më pas la pas dore edhe hetimin e aksidentit. 

Në atë kohë në 2010 Donald Tusk ishte kryeministër i Polonisë.

Kreu i Këshillit Europian u shpreh se nuk mund të jetë të mërkurën për të dëshmuar për shkak të obligimeve në Parlamentin Europian. “Do të dëshmoj, por jo në ditën e thirrur nga prokuroria”, u shpreh zëdhënësi i Tusk.

Sipas mediave Tusk duhet të përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me ish krerët e Departamentit të kundërspiunimit polak, pasi dyshohen se kanë bashkëpunuar me shërbimet e huaja  pa autorizimin e autoriteteve qeveritare.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com