TIRANE - Dy javë pasi prokuroria vendosi të mos bëjë rekurs për pafajësinë e ish-guvernatorit Ardian Fullani ky i fundit i drejtohet Gjykatës Administrative ku kërkon pagën e 4 viteve dhe anulimin e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës dhe atë të kuvendit të Shqipërisë që e shkarkuan nga posti i Guvernatorit.

...
Ardian Fullani padit në Gjykatën Administrative Kuvendin dhe Bankën e Shqipërisë për shkarkimin nga detyra e Guvernatorit dhe anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, me argumentin se vendimi ka qenë i paligjshëm. Sipas padisë, të cilën Shqiptarja.com e siguron, Fullani kërkon dëmshpërblim pasuror që prej datës së shkarkimit më 18 shtator 2014 deri më 17 nëntor të vitit 2018, kur do duhej t'i përfundonte mandati.

"Detyrimi i palëve të paditura të shpërblejnë paditësin duke i njohur atij të drejtën e shpërblimit për detyrën e Guvernatorit dhe Bankës së Shqipërisë dhe/ose Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Republikës së Shqipërisë që prej datës së shkarkimit 18.09.2014 deri në datën e përfundimit të mandatit që është data 17.11.2018", thuhet në padi.

Por jo vetëm aq. Në padinë ndaj Kuvendit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Fullani kërkon edhe dëmshpërblim moral nga ana e këtyre institucioneve. "Detyrimin të shpërblejnë paditësin për dëmin jopasuror", thuhet në kërkesë padi.

Një ditë më parë gjykata administrative ka hedhur shortin për këtë padi dhe ajo i ka rënë gjyqtarit Bzart Kackini i cili pritet që brenda 15 shkurtit të shpall datën për seancën e parë.

Në rast se Fullani do të fitojë procesin në gjykatë administrative atëherë një tjetër faturë e kripur do t'i shtohet buxhetit të shtetit referuar dhe pagës së lartë në postin e ish guvernatorit dhe kreut të Këshillit Mbikëqyrës funksione të cilat ka mbajtur Ardian Fullani.

Në 18 shtator të 2014-ës, Kuvendi shkarkoi me votë të fshehtë Fullanin nga posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të cilin e mbante prej 9 vitesh. Në atë kohë, Fullani ndodhej në masën e sigurisë të "arrestit shtëpiak" dhe hetohej për skandalin që përfshiu në korrik të 2014-ës Bankën e Shqipërisë me vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit në Linzë.

Ishte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që i propozoi Kuvendit shkarkimin e Fullanit me argumentin se kish shkelur etikën dhe ka cënuar thellë interesat e BSH-së. Me arrestimin e Fullanit në 5 shtator të 2014, vetëm 2 muaj pas vjedhjes së thesarit, Banka kaloi nën drejtimin e përkohshëm të zëvendësguvernatores së Parë Elisabeta Gjoni, njëherësh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa në shkurt të 2015-ës Kuvendi zgjodhi drejtuesin e ri të Bankës së Shqipërisë, Guvernatorin Genti Sejko.

Më 23 dhjetor 2015 Fullani certifikoi pafajësinë e tij në gjykatën e Apelit pasi atë të fituar në Shkallën e Parë prokuroria e apeloi duke kërkuar dënimin e tij me burg nën akuzat e Prokurorisë së Tiranës për shpërdorim detyre ne lidhje me tenderin 30 milion euro të blerjes së hotel Dajtit dhe vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë. 

Padia e Fullanit ne Gjykaten Administrative
fullani

Prokuroria kishte kërkuar që Fullani të dënohej me 5 vite burg, konvertuar me 3.2 vite pas gjykimit të shkurtuar, por Gjykata vendosi pafajësi.

Organi i akuzës argumentonte se Fullani nuk kish zbatuar vendimet e Këshillit Mbikëqyrës, duke i lënë terren të hapur vjedhjes së parave nga thesari i shtetit, vepër për të cilën është dënuar Ardian Bitraj, - ish-përgjegjësi i arkës stok dhe kolegia e tij Mimoza Bruzia. Ndërkohë në lidhje me akuzën e dytë, Prokuroria akuzoi se tenderi për blerjen e Hotel Dajtit 30 milionë euro ishte formal, pasi u bë pasi hoteli ishte blerë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)