'Kokaina',PD: Rrëzohen gënjeshtrat
e Ramës,PS:Kush flet, po Lazarati?

'Kokaina',PD: Rrëzohen gënjeshtrat<br />e Ramës,PS:Kush flet, po Lazarati?
TIRANE - Edhe ditën e sotme kanë vijuar akuzat në distancë mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me operacionin e policisë së shtetit që çoi në shkatërrimin e laboratorit dhe rrjetit të trafikut të kokainës në periferi të Elbasanit këtë të mërkurë.

Ka qenë deputeti i PD-së Eduard Halimi i cili ditën e sotme ka akuzuar qeverinë dhe konkretisht Kryeministrin Edi Rama për lidhje të tij me trafikun e drogës, duke u shprehur se edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë mashtrimet e kryeministrit, pasi rrjeti i trafikut kishte një vit që operonte në vend.

Por në një reagim të menjëhershëm, deputeti i PS-së Ervin Bushati i cili duke i cilësuar këto akuza qesharake dhe të turpshme, shprehet se është pikërisht opozita e sotshme e cila në 8 vjet qeveri, nuk bëri asgjë për trafikun e drogës në Lazarat.

Bushati: Akuzat e PD qesharake, pse nuk ndërhytë në Lazarat?
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka reaguar ditën e sotme ndaj akuzave të opozitës, sipas së cilës, rrjeti i trafikut të kokainës, i shkatërruar këtë të mërkurë, ishte ngritur me bekimin e qeverisë, dhe konkretisht të kryeministrit Edi Rama.

Në një dalje për mediat, Bushati u shpreh se me të tilla akuza ndaj policisë së shtetit, PD po bëhet çdo ditë e më qesharake, pasi sipas tij, kjo është e vetmja opozitë në botë që akuzon qeverinë dhe policinë pse ndalon kriminelët dhe lufton trafiqet.

E gjitha kjo sipas Bushatit është e turpshme, aq më tepër duke ditur faktin se në 8 vitet e qeverisjes, siç shprehet deputeti socialist, Partia Demokratike nuk bëri asgjë për trafikun e drogës në Lazarat, e ndërsa sot gjen edhe kurajën të akuzojë qeverinë dhe policinë për luftën ndaj narkotrafikut.

Më poshtë deklarata e plotë për mediat e deputetit të PS, Ervin Bushati:
Opozita vazhdon të bëhet çdo ditë e më qesharake me deklaratat e saj kundër Policisë së Shtetit. Akuzojnë policinë pse arrestoi bandën e laboratorit të drogës në Elbasan, njësoj siç akuzuan Policinë e Shtetit pse çliroi Lazaratin nga prodhimi dhe trafikimi i kanabisit. Është e vetmja Opozitë në botë që akuzon Qeverinë dhe policinë pse ndalon kriminelët dhe lufton trafiqet. Dhe kush flet? Partia Demokratike që tetë vjet në pushtet kishte të gjithë informacionin për trafikun dhe prodhimin e drogës në Lazarat. Trafik lëndësh narkotike dhe aktivitet kriminal që bëhej mu në mes të ditës e që Partia Demokratike nuk lëvizi gishtin për të ndërhyrë. Partia Demokratike, që tetë vjet në pushtet ishte në presion të vazhdueshëm nga partnerët ndërkombëtarë për të ndërhyrë në Lazarat, por pati frikë ta bënte. E tani që Qeveria e re i ka shpallur luftë pa kompromis drogës dhe trafikut, tani që Lazarati u çlirua dhe laboratori i narkotikëve në Elbasan u kap, Partia Demokratike që qëndroi tetë vjet duarkryq na gjen kurajon për të akuzuar.
Turp për ta; turp për ish ministrin e Drejtësisë, turp për ish zëvendësministrin e brendshëm e turp mbi të gjitha për ish kryeministrin, që vendin e zhytën në krim dhe trafik e tani hiqen si të pafajshëm për gjithçka bënë për tetë vjet rresht.

ervin bushati


PD: Prokuroria rrëzoi gënjeshtrat dhe mburrjet e Ramës
Partia Demokratike ka vijuar sërish ditën e sotme akuzat ndaj qeverisë, dhe konkretisht ndaj Kryeministrit Edi Rama për lidhje të tij me rrjetin e trafikantëve të kokainës të prangosur këtë të mërkurë.

Në një dalje për mediat, deputeti demokrat Eduard Halimi kërkoi nga Kryeministri Rama të përgjigjet për ngritjen e laboratorit të kokainës dhe lidhjet e trafikantëve me deputetë e zyrtarë të lartë të qeverisë.

Nga ana tjetër, Halimi tha se deklaratat e PD, se rrjetin e trafikantëve nuk e zbuloi policia shqiptare por ajo ndërkombëtare, u vërtetua nga deklaratat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Më poshtë deklarata e plotë për mediat e deputetit të PD, Eduard Halimi:
Gënjeshtrat e Edi Ramës dhe ministrit të tij dhe pozimet e tyre qesharake në përpjekje të dëshpëruara për të dalë nga sikleti i zbulimit të laboratorit më të madh të kokainës në Ballkan u hodhën poshtë zyrtarisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sic është bërë tashmë publike gjithcka nisi nga informacioni i partnerëve europianë, dhe më tej ishte kjo prokurori që në bashkëpunim me kolegët gjermanë vazhduan hetimin derisa e finalizuan me operacionin policor. Edi Rama refuzon të përgjigjet për shqetësimin publik për instalimin gjatë 12 muajve të fundit të fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan mu në zemër të Shqipërisë, dhe ngritjen e një rrjeti të tillë kriminal pa ju hyrë gjemb në këmbë trafikantëve. Sa më shumë kohë kalon pa bërë transparencë për lidhjet që kanë trafikantët me qeveritarët, aq më shumë damkoset Edi Rama për dijeninë dhe lejimin e këtij aktiviteti kriminal që do të kishte vazhduar njësoj si ditën e parë, po të mos ndërhynin policitë partnere europiane. Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë, dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët? A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me deputetë e zyrtarë të lartë të partisë në pushtet?

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Deputetja Xhixho: Dështimin e saj qeveria ia hedh TikTok-ut! Kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira

Deputetja Xhixho: Dështimin e saj qeveria ia hedh TikTok-ut! Kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira