Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, ka zbardhur dje detaje të reja rreth lidhjeve të forta të biznesmenit, Ismail Mulleti me Sali Berishën dhe kupolën e Partisë Demokratike. Izet Haxhia pohon se, Ismail Mulleti, biznesmeni i përfshirë në dosjen e skandalit “Panama Papers”, ka sponsorizuar një udhëtim të Sali Berishës në Kalkuta të Indisë, ku ka marrë pjesë në varrimin e Nënë Terezës. Sipas Haxhisë, udhëtimi ka kushtuar 12 mijë USD.

Izet Haxhia e cilëson Mulletin si kasafortën e fshehtë të Partisë Demokratike, ku ka shërbyer për fshehjen e parave të dyshimta. “Po i kthehem edhe njëherë personit të përfshirë në skandalin Panama Papers. Il Mulleti siç njihet në rrethin e tij të afërt ka qenë kasaforta e fshehtë e PD. Në vitet e pushtetit të saj të parë dhe më vonë, të gjitha pagesat e dyshimta janë bërë nëpërmjet këtij personi. Po i kujtoj vetëm një rast marshallit. Paratë e udhëtimit tuaj për të shkuar në varrimin e Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë që kapnin shumën 12 mijë dollarë janë bërë nga Il Mulleti, sepse në atë kohe arka e PD ishte boshatisur nga ata që e drejtuan deri në zgjedhjet e 97”, shkruan Haxhia.


Nga Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë reagim për lidhjet e saj me biznesmenin që ka regjistruar kompaninë në parajsën fiskale dhe që ka fituar një nga koncesionet më të dyshimta, atë të ngjyrosjes së naftës. Ndërkaq, gazetarë dhe politikanë kanë paralajmëruar zbardhjen e fakteve dhe detajeve të reja në ditët në vijim për implikimin e biznesmenëve dhe pushtetarëve të tjerë na dosjen “Panama Papers”.

Sponsorizoi
Izet Haxhia ka artikuluar dje një akuzë shumë të rënda, teksa tha se Ismail Mulleti është sponsorizuesi i bombës tek Vefa. Sipas tij, Mulleti ka paguar për i atentateve për llogari të Sali Berishës. “Ky person është sponsorizuesi i bombës tek firma Vefa në shkurt të ‘96 dhe njëkohësisht vëllai i tij më vonë i vrarë në Vlorë, mesa më kujtohet, së bashku me killerin Anton Gjergji janë vendoseshit dhe shpërthyesit e kësaj bombe.

Në vitet e mëvonshme Il Mulleti punësoi afër vetes Rasim Boriçin që është nipi i Agim shehut dhe drejtuesi i njësisë 'antikrim ' të krijuar në vitin ‘94 nën petkun e repartit antidrogë që edhe pas ardhjes në pushtet të të majtëve në ‘97 vazhdoi ilegalisht veprimtarinë e saj për interesat kriminale të marshallit. Kjo njësi antikrim u përfshi në valën e atentateve dhe vrasjeve në Tropojë me bekimin dhe porosinë e marshallit”, shkruan Haxhia.

Haklajt
Izet Haxhia e implikon Mulletin dhe njerëzit e tij edhe në atentatet ndaj Haklajve në Tropojë. “Il Mulleti ka qenë sponsurizuesi numër një i këtyre atentateve me mina të telekomanduara të blera në Shkodër me nga gjashtë mijë marka copën. Ky person, së bashku me Rasim Boriçin bënin përcjelljen e komandës që shkonte në Tropojë për të kryer atentate ndaj Haklajve duke i siguruar mjetet lëvizëse dhe armatimin modern që nga minat e telekomanduara e deri tek snajperët”, pohon Haxhia. Sipas tij, Berisha dhe njerëzit e tij, i kanë besuar Mulletit të gjitha tranfertat e parave të pista. “Të gjitha fijet dhe transferat e parave të pista që ka bërë marshalli dhe eksponentë të tjerë të PD si Pollo, Tritan shehu apo të tjerë kanë kaluar nëpër duart e Il Mulletit”, shkruan Haxhia.
 
Dyshimet
Dyshime të forta mbi Sali Berishën kanë ngritur ish-truproja i tij, Izet Haxhia. Ky i fundit ka zbardhur një pjesë nga lidhjet e biznesmenit që ka regjistruar kompaninë në parajsën fiskale në Panama, me kupolën e Partisë Demokratike.
 
Sponsorizimi
“Paratë e udhëtimit tuaj për të shkuar në varrimin e Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë që kapnin shumën 12 mijë dollarë janë bërë nga Il Mulleti, sepse në atë kohe arka e PD ishte boshatisur”.
 
 
Kontrabanda
Izet Haxhia ka deklaruar se Ismail Mulleti është përfshirë në kontrabandën e naftës me Serbinë. Sipas tij, kontrabanda e naftës është kryer nën kujdesin e Berishës. Sipas tij, Mulleti ka qenë ortaku i Tritan Shehut.
 
Sejko
Guvernatori Gent Sejko ka deklaruar se Banka e Shqipërisë nuk ka informacion për transferta të dyshimta në drejtim të vendeve “offshore”.

Redaksia Online
Shqiptarja.com